Kush e drejtoi operacionin për arrestimin, si u infiltrua oficeri i RENEA në fshatin e vrasësit (FOTO)

Një oficer policie nga Forca e Lëvizshme Operacionale prej më shumë një jave ndodhej në fshatin Hoshtimë të Vlorës. Atje ishte vendosur për të nisur “jetën e re” profesionale. Për të detyra ishte e qartë. Duhet të merrte deri në detaje informacionin për Xhevahir Jonuzin, për të cilin kishin mbërritur të dhënat e para se fshihej në këtë zonë.

Informacioni paraprak është dhënë nga inspektori i policisë së Vlorës që ka nën kontroll këtë zonë. Pas këtij informacioni është detajuar edhe një operacion për të bërë të mundur kapjen e tij, ndërsa dihej mirë dinëkaria dhe rrezikshmëria e të kërkuarit, aq sa nuk do të kursente as Policinë.

Kësisoj është ndërmarrë si veprim i parë operacional grumbullimi i informacionit, rrugët e hyrjes dhe daljes, mundësitë e arratisjes, persona që mund ta ndihmonin atë, por edhe lëvizshmëria me mjete. Prej një jave të gjitha këto janë përfshirë në një raport të Policisë, pas të cilit u vendos ndërmarrja e operacionit për arrestimin e tij.

Sokol Bizhga, një njohës i mirë i terrenit, por edhe i personit në kërkim që tashmë drejton FLO, forcën e lëvizshme operacionale është caktuar në drejtimin e operacionit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës.

Zona është rrethuar gjatë mesnatës me agjentë të krimit, por vetëm në mëngjes, kur ka nisur edhe lëvizja e njerëzve është menduar të ndërhyhet. Personi Xhevahir Jonuzi ka qëlluar ndaj Policisë, por kundërpërgjigja e kësaj të fundit e ka detyruar të hedhë armën e krimit, ndërsa vetë Policia e ka dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.