Blofi i Jozefina Topallit/ Si e kundërshton vetveten, duke sulmuar Bashën

Pas një viti me protesta të dhunshme, djegie mandatesh e bojkot zgjedhjesh; Lulzim Basha e zhvendosi sërish betejën e opozitës brenda institucioneve të shtetit.

Kreu i opozitës hoqi dorë nga kushtet ndaj Ramës, të cilat nuk paten kurrë mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe me ndërhyrjen e këtyre të fundit, çoi përfaqësuesin e tij në tryezën e dialogut me maxhorancën për të bërë Reformën Zgjedhore, një kërkesë e vazhdueshme edhe e Bundestagut gjerman.

Por në momentin që Lulzim Basha iu përgjigj pozitivisht thirrjes së OSBE dhe të ambasadave aktive në Tiranë, që e shohin dialogun si rruga e vetme demokratike për zgjidhjen e problemeve, në skenë dolën figura të ndryshkura të politikës, që e kritikuan vendimin e kryedemokratit.

Një prej tyre ishte edhe Jozefina Topalli. Ish-kryetarja e parlamentit në kohën e Sali Berishës, e cila mbahet mend vetëm për shprehjen “kapeni dhe nxirreni për zhelesh”, kur ju referohej deputetëve të opozitës të asaj kohe, shkruan se me marrëveshjen e re, Basha “i dha mandatin e tretë Ramës”.

Përmes një reagimi në Facebook, zonja Topalli ka kritikuar vendimin e Lulzim Bashës, për t’u rikthyer në rrugën institucionale dhe për t’u ulur në tryezë me qeverinë për miratimin e reformës zgjedhore, që është edhe një ndër kushtet për hapjen e negociatave.

Por qëndrimi i Topallit, përveçse politik është edhe paradoksal, pasi kundërshton vetveten. Kujtojmë se ish-kryetarja e Kuvendit, ka kritikuar çdo qëndrim apo vendim të Lulzim Bashës, që prej vitit 2017, kohë kur Basha e largoi nga Kryesia e PD.

Tapolli kritikoi ashpër marrëveshjen e 17 majit, protestat e dhunshme, djegien e mandateve dhe daljen nga sistemi.

Por tani që opozita, po përpiqet të futet sërish në sistem dhe po denoncon përmes dokumenteve zyrtare kryebashkiakët e Ramës, Jozefina Topalli del sërish kundër vendimit të opozitës. Ajo është e pakënaqur edhe tani që opozita po bën atë që vetë Topalli kërkonte; rikthimin në sistem.

Që ta përmbledhim më shkurt; Jozefina Topalli që ishte kundër djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme, tashmë është kundër rikthimit të opozitës në institucione. Dy qëndrime paradoksale që e nxjerrin blof ish-kryeparlamentaren, e cila kundërshton vetveten me deklaratat e saj.

Aksioni opozitar në rrugë institucionale është rruga e duhur për opozitën. Nëse do të bënim një analizë, rezulton se betejat më të mëdha opozita i ka fituar në rrugë institucionale. Disa deputetë dhe kryetarë bashkish u larguan nga sistemi falë dekriminalizimit dhe denoncimit të opozitës. Të njëjtën gjë po bën edhe këto ditë PD, ku përmes denoncimeve të Gazmend Bardhit, iu hoq mandati dy kryebashkiakëve, ndërsa dy të tjerë, janë në hetim.

Protestat e dhunshme nuk i dhanë asgjë opozitës, përveç paralajmërimit të SHBA “për t’i shpallur parti të dhunshme”. Me qëndrimin e fundit, Topalli mesa duket dëshiron këtë të fundit, për partinë që e çoi në postet më të larta të shtetit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.