Paradoks shqiptar/ Kemi një status për të vdekurit, por jo një status për minatorët e gjallë të Bulqizës

Nga Edison Balla

Për kategori të caktuara që zakonisht lidhen me vështirësitë e punës apo merita të veçanta në një fushë të jetës, shtetit i lind detyrimi që t’u miratojë këtyre kategorive një status të veçantë trajtimi. Nëpërmjet këtij “statusi” që nuk është gjë tjetër veçse një kuadër ligjor i miratuar nga Parlamenti, presupozohet që këto kategori të shpërblehen për mundin apo meritat e tyre. Njëjtë pra siç duhet edhe të kishte ndodhur edhe me njërën prej kategorive me punën më të vështirë sot për sot në Republikën e Shqipërisë, pra me minatorët e nëntokës.

Pas shumë debateve e protestave, para dy vitesh shteti shqiptar i njohu më në fund statusin edhe kategorisë së naftëtarëve. Padyshim një gjë e mirë për naftëtarët dhe familjet e tyre, edhe pse akoma sot kjo shtresë mbetet e nëpërkëmbur dhe statusi nuk i ka dhënë efektet e pritshme ligjore.

Disa kategori individësh përfitojnë status të veçantë trajtimi në vendin tonë, përfshirë këtu edhe deputetët të cilët duhet thënë janë të vetmit që përfitojnë realisht nga garancitë ligjore të përcaktuar në Ligjin “Për Statusin e  Deputetëve”.  Një status të veçantë trajtimi duhet thënë që kanë edhe veteranët e luftës nacional çlirimtare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre nuk jetojnë më sot. Ky trajtim i veçantë për këtë kategori është njohur nëpërmjet Ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “për statusin e veteranit të luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”.

Por kjo nuk e ka penguar parlamentin që herë pas herë të bëjë amendime në këtë ligj, për të rritur edhe më tej përfitimet e kësaj kategorie. Kjo është pozitive pasi shteti i detyrohet edhe kësaj shtrese, por pyetje që shtrohet është: a duhej më parë një status për veterenat e luftës së para një shekulli apo për minatorët e Bulqizës që janë të gjallë akoma dhe përballen çdo ditë me vdekjen?

Edhe pse këta të fundit punojnë e kontribuojnë shumë për buxhetin e këtij vendi, edhe pse vdesin përditë nëpwr skuta minierash, edhe pse kanë protestuar shumë herë për të drejtat e tyre, sërish shteti i ka mohuar dhe ka vepruar padejtësisht ndaj tyre. Ky pra është paradoksi ynë. Ne kujdesemi për të vdekurit dhe mohojmë të gjallët!

 

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.