Paketa anti KÇK e Ramës/ Ja pse bie në kundërshtim me legjislacionit tonë

Nga Edison Balla

Paketa anti KÇK ose e thënë ndryshe “Kap Ça të Kapësh” është propaganduar si nisma “ligjore” e qeverisë në vrazhdën e luftës kundër krimit të organizuar dhe pas aksionit Forca e Ligjit, efektet dhe rezultatet e të cilit akoma nuk janë konkrete e të dukshme për publikun.

Disa javë më parë, thuajse në mbyllje edhe të vitit që lamë pas paketa anti KÇK u prezantua nga vetë Kryeministri Rama në sallën e madhe Art-Turbina para deputetëve dhe njerëzve të qeverisë.

Kur statistikat e policisë në betejën kundër krimit të organizuar nuk janë dhe aq shpresëdhënëse, dhe kur Shqipëria e ka tashmë prej kohësh një Ligj Antimafia, qeveria mesa duket beson se nëpërmjet një ligji tjetër si ky, i cilësuar si anti KÇK do të fitojë betejën e saj me krimin e organizuar.

Nuk e dimë nëse ky është besimi real i qeverisë apo një lëvizje e rradhës për të tentuar rritjen e kredove të saj politike. Përtej kësaj me rëndësi është analizimi i paketës ligjore të propozuar, që duket se është kontestuar që në fillim nga ekspertët dhe një pjesë e opinionit publik, ashtu siç ka ndodhur me disa propozime e nisma të tjera (përmendim këtu edhe paketën antishpifje).

Me një analizim të përgjithshëm juridik duke njohur edhe parimet bazë të funksionimit e harmonizimit të ligjit, është e lehtë të kuptosh se kjo nismë ligjore bie në jo pak nene në kundërshtim me frymën e përgjithshme të legjislacionit tonë. Kjo nismë synon ti japë kompetenca të “jashtëzakonshme” policisë së shtetit duke krijuar kështu edhe shumë konfuzione në drejtim të punës së saj, që herë herë dalin edhe jashtë kompetencave që ky insitucion ka me ligj.

Kjo paketë tenton t’i japë policisë funksionin e një “prokurorie speciale”, sepse edhe pa pritur një urdhër prokurori edhe kur subjekti fizik ose juridik nuk është në kushtet e flagrancës, policia thuhet sipas kësaj nisme mund të ndalojë e të konfiskojë të ardhurat apo asetet e çdo subjekti. Mjafton që policia të ketë dyshime. Por nuk mbaron me kaq…

Po sipas parashikimeve të kësaj pakete, policia mund të përgjojë çdo individ apo subjekt që dyshon se merret me veprimtari të jashtëligjshme apo ka grumbulluar pasuri e asete në mënyrë jo të ligjshme.

Pra, ndërhyrja pa një vendim gjykate në jetën private të një personi qoftë ky edhe i dyshuar sipas policisë do të përbënte shkelje të të drejtave të njeriut, dhe përplasje me kompetencat e gjyqësorit.

Gjithashtu një pikë tjetër problematike e këtij ligji është edhe ndalimi dhe mbajtja e një personi të ndaluar deri në heqjen e dyshimeve të arsyeshme te policisë, duke shkelur kështu parashikimet ligjore dhe dispozitat ligjore për një proces të rregullt ligjor garantuar nga legjislacioni i brendshëm dhe aktet ndërkombëtare si KEDNJ.

Por në mungesë të gjykatës kushtetuese dhe në pamundësi të plotësimit të kritereve të kërkuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, sipas së cilës për të dërguar një çështje apo ligj në këtë gjykatë duhet ezauruar më parë gjyqësori i brendshëm, atëherë me gjasë kjo paketë do të kalojë në parlament dhe mund të shkaktojë realisht shkelje të të drejtave të njeriut.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.