Ndërtues, urbanistë, arkitektë e kryetarë komunash/ Të gjithë nën akuzë për pasojat e tërmetit

Prokuroritë në Durrës, Krujë, Lezhë, Laç dhe Tiranë prej ditësh janë duke kryer hetime intensive për të gjetur shkaktarët e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit. Më shumë se goditja prej 6.4 ballë e shkallës rihter, shumë pallate u shkatërruan dhe u kthyen në të pabanueshëm për shkak të ndërhyrjeve në kolona, ndërtimeve pa cilësi, shtimit të kateve, apo edhe ndërhyrjeve në strukturë kryesisht të kateve të para.

Babëzia e njerëzve për të shtuar kate sidomos të ndërtuesve, të urbanistëve që shpërdoruan detyrën përmes veprimeve korruptime, dhënies së lejeve të ndërtimit nga zyrtarët vendorë dhe shumë si këto lanë më shumë pasoja sesa fuqia e vetë tërmetit.

Pas operacionit në Durrës që u pasua me shumë të arrestuar, një megaoperacion policie u zhvillua këtë të martë në Tiranë. Prokuroria ka firmosur 40 urdhra arrestimi, mes të cilëve dy kryetarë komunash Besnik Fuçia dhe Bardh Plaku përkatësisht të Kasharit dhe Farkës, ndërtues të pangopur, një prej të cilave Vjollca Hoxholli, e hetuar, arrestuar e gjykuar disa herë për mashtrim, pasi një apartament e ka shitur në të paktën tre herë tek persona të ndryshëm.

Në listën e atyre që tashmë ndodhen në qeli dhe mbajnë përgjegjësi të rënda për çfarë ndodhi në 26 nëntor janë edhe ish-urbanistë të bashkisë së Tiranës dhe Vorës, të cilët përmes shpërdorimit të detyrës, veprimeve korruptive, falsifikimit apo mosveprimit në kohën e duhur kanë lejuar shkeljen e ligjit, pasojat nga i cili në fundin e nëntorit të vitit të kaluar rezultuan një fatalitet pas tërmetit.

Ndaj shumë prej të arrestuarve është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa për ndërtuesit dhe urbanistët ajo e shkeljes së ligjit për verifikimet teknike në terren, apo të lejimit të punimeve në strukturat e kateve të para të pallateve.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.