Kush është gjyqtarja që liroi Doklen, ja bëmat e saj në sistemin e Drejtësisë

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha është gjyqtarja e Krujës, e cila ka firmosur sot lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle. Por ky nuk është rasti i parë që Hoxhës i “shket këmba” në vendimet e saj për të nxjerrë nga qelia “të tmerrshmit” e vendit.

Por emri i kësaj gjyqtareje ka shqetësuar në jo pak raste shumë prej ministrave të drejtësisë. Kuptohet me vendimet e saj, në favor të shumë personazheve të njohur të botës së krimit.

Enkelejda Hoxha është gjyqtarja, e cila ka marrë vendimet edhe për lirimin nga burgu të Ilir Pajës dhe Genc Tafilit. Gjithashtu ajo ka liruar nga burgu edhe djalin e deputetit socialist Rrahman Rrajën, Rexhepin. Ndër bëmat e saj, Hoxha numëron edhe “punësimin” që 5-vjeç të një të pandehure.

Genci Tafili ishte i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kreut të policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në vitin 2000 në qytetin e Shkodrës. Genc Tafili kreu 17 vite burg që nga arrestimi i tij në vitin 2000. Tafili është vëllai i Admir Tafilit edhe ky i dënuar për vrasje.  Prokuroria e cilësoi vendimin në kundërshtim të hapur me ligjin. Sipas organit të akuzës, ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar dhe Tafili.

Por gjyqtarja e Krujës nuk e ka marrë parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij. Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, kërkoi shkarkimin nga detyra. Po ashtu edhe presidenti Ilir Meta ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate. Hoxha ia hodhi sërish një masë disiplinore.

Një tjetër i dënuar që u lirua nga firma e Hoxhës është edhe Ilir Paja, i cili njihet nga të gjithë me nofkën “UFO”. Paja u lirua 1 vit para se dënimi i tij të përfundonte. Ilir Paja është i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane dhe gjermane. Disa vite më parë në një ngjarje të rëndë të ndodhur tek Farmacia 10 në Tiranë, Ilir Paja, i arratisur nga burgjet italiane, tentoi të ekzekutonte një efektiv policie, i cili kishte shkuar ta arrestonte në vitin 2008.

Lidhur me rastin, Këshilli i Lartë i Drejtësisë asokohe, nisi verifikimet e nevojshme. Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Nasip Naço, ka kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore shqiptare, por në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura u ndryshua kërkesa dhe u mor një vendim paralajmërues.

Në vitin 3 nëntor të 2017, gjyqtarja Enkeleida Hoxha u rikthye  në qendër të vëmendjes me një tjetër skandal. Kësaj here gjyqtarja e rrethit gjyqësor të Krujës nëpërmjet një vendimi, vendosi njohjen e vjetërsisë në punë të Marjana Prenucas, një qytetareje , duke i njohur vitet e punës që në moshën 5-vjeçare.

Enkelejda Hoxha është gjithashtu gyqtarja që firmosi vendimin për lirimin e Rexhep Rrajës, ndërsa dosja u përgatit nga prokurorja Mirela Kapo. I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit, i cili tha se për qeverinë që ai drejton të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Hoxha ende nuk ka dalë në vetting dhe sipas burimeve ajo rezulton në listën me 120 emra që do të verifikohen përgjatë 12 muajve të vitit 2020.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.