1917- thjesht perfekt!

Nga Jetona Koçibelli

Dolëm të shokuar nga kinemaja. Një emocion i fuqishëm na përshkoi të gjithë grupin që kishim shkuar me një frymë të shihnim në ekranin e madh filmin `1917`, të regjisorit Sam Mendes.

Kishim vendosur të lexonim sa më pak, dhe t`ia linim veten filmit dhe perceptimit personal, se sa t´i besonim shkrimeve për të.

Dhe kur përfundoi qëndruam më shumë se 15 minuta pa fjalë, ashtu siç të le një film i bukur. I bukur në çdo detaj për t´u parë, që të kënaq syrin. Një produksion perfekt, një sinkronizim i habitshëm, një punë parapërgatitore e pabesueshme, një skenografi që të mahniste.

Skenari është i thjeshtë dhe i bazuar mbi një rrëfim personal të gjyshit të regjisorit Sam Mendes, tetarit Alfred Mendes, nga Batalioni i Parë i Trupave Këmbësore të Mbretit, i cili i tregoi historitë e tij të nipit.

Në kulmin e Luftës së Parë Botërore në Prill 1917, në veri të Francës, dy ushtarë të rinj britanikë, Schofield dhe Blake, ju jepet misioni për të dorëzuar një mesazh në Batalionin e Dytë, i cili kërkonte ndalimin e sulmit të tyre të planifikuar për Forcat Gjermane.

Dorëzimi në kohën e duhur shpëtonte 1600 jetë njerëzish.  Gjithë historia zhvillohet në 24 orë, në stilin e kinemasë `long sequence` ose `one shoot` , pra që kamera ndjek pa shkëputje personazhet duke ta sjellë filmin në mënyrën më reale të mundshme. E vetmja artificë në film është kalimi i kohës nga ditë në natë që regjisori ka zgjedhur ta japë më një sekuencë të gjatë `black´, por kjo e vendosur në kontekstin e një shoku psikologjik nga personazhi pas një dyluftimi. Dhe në këtë rast ky mund të quhet një `black` funksional.

Në sy përgjatë historisë bie edhe tundimi i bukur i personazhit Schofied (George Mackay) nga një vajzë franceze për të qëndruar me të, në kundërshtim me rrugën e vështirë të realizimit të misionit pasi kishte humbur shokun e tij. Apo edhe këshilla e një ushtaraku tjetër që ndeshi në rrugë, i cili i tha që mesazhin ta dorëzonte në prani të dëshmitarëve. Sepse ka njerëz thjesht të etur për luftë dhe asgjë tjetër.

Besoj që çdo regjisor në botë e ka ëndërruar një histori të xhiruar në këtë mënyrë ´one shoot`, por mjeshtëria e Mendes dhe sidomos kinematografit  Roger Deakins është stili, ndjeshmëria dhe humanizmi që i kanë veshur skenarit.

Me një strukturë Homeriane që të kujton Odisenë, sfidat e personazheve, kalimi nga një sekuencë në tjetrën në realizimin e misionit, nga fillimi në fund përfshirja në film është totale.

Ndërmarrja e një filmi të tillë të ngjan me një aventurë. Deakins ka ndërmarrë ndoshta aventurën më të madhe te jetës së tij që e ka përkthyer në kinema atë që i ka propozuar Mendes. Që ka ndërtuar një rrugë aspak të lehtë për filmin, por thjesht të përkryer. Duke i dhënë pa frikë një kuptim tjetër kinemasë. Ku flet çdo element estetikisht kaq bukur. Duket se pasi sheh `1917`, çdo gjë tjetër të duket e kotë. Dhe një produksion i tillë marramendës nuk është parë prej shumë vitesh në kinema.

Mund të themi me plotgojë që po jetojmë një kohë dhe një vit historik për kinemanë dhe Anglia është pararojë për këtë. Dyshoj që një film i përmasave të tilla në koncept dhe realizim do të bëhej nga amerikanët.

Dua të ndalem edhe tek titulli `1917`. Një titull I paharruar, sepse është një vit, përfaqëson një kohë. Dyshoj që do të gjente një titull Mendes që të godiste më shumë se kaq. Sepse ai vendos tituj realë, njëlloj si më herët `Revolutionary Road`.

Në kompleksitet emocioni i fuqishëm, humanizmi, ndjeshmëria, estetika dhe sidomos skenari origjinal, jo i adoptuar, e bëjnë laboratorin krijues të Sam Mendes të mahnitshëm.

Ky është regjisori i madh, që sjell një histori të jetuar, e sjell atë ashtu që cdokush të gjejë veten në të. Prandaj mahnit audiencën Sam Mendes. Apo regjisori korean Bong Joon-Ho me filmin ‘Parasite’, që po ashtu gozhdoi publikun me një histori tërësisht lokale. Doli fitues në Kanë, fitoi një Golden Globe si filmi më i mirë i huaj e po thyen rekorde në Box Office. Dhe kjo ndodh në 2020, kur është e vështirë të impresionosh.

Mbase edhe regjisorët tanë do t´ia dalin ndonjë ditë që më histori vendase të bëjnë audiencat botërore të gjejnë vetën tek to. Sepse deri më tani vështirë ta pohosh.

Prandaj e rithem që kjo është një kohë historike për kinemanë. Është koha kur unë jetova filmin `1917`. Unë isha në këtë kohë!

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.