Vrasjet mafioze në Elbasan, zinxhiri që nuk do këputet asnjëherë nga asnjë operacion (FOTO)

Vrasja e Andi Zylyfit në Elbasan nuk është e rastësishme. Përkundrazi është pjesë e vrasjeve mafioze në Elbasan, që zënë fill shumë vite më parë e janë shtrirë në kohë. Hetimet për atentatin e mbrëmjes së të premtes ku humbi jetën Andi Zylyfi dhe u plagos miku i tij Ardit Uruçi janë thuajse identike me ato të masakrës së 29 dhjetorit të vitit të kaluar në Bradashesh.

Viktimat e vitit të kaluar kanë lidhje me Zylyfin e vrarë të premten në mbrëmje. Burimet deri më tani, bëjnë të ditur se atentati ka ndodhur për “humbjen”, ose daljen jashtë tregut të një sasie prej 50 kilogramë kokainë e destinuar për tregun e brendshëm kryesisht në Tiranë dhe Elbasan.

Droga është zhdukur kohë më parë, por që ka prodhuar një serial vrasjesh në Elbasan, duke e kthyer këtë qytet në epiqendrën e kronikave të zeza, pa lënë pas edhe Vlorën, Lushnjen dhe Durrësin.

Vrasja e djeshme është në vazhdën e një skenari që vazhdon, nuk është një ngjarje e beftë. Policia dhe prokuroria përpiqen që të fsheshin lidhjet e ngjarjeve nga njëra-tjetra për të shmangur presionin ndaj tyre.

Nëse u referohesh statistikave është shumë e thjeshtë të kuptohet që në Elbasan ka një zinxhir vrasjesh, që mbesin pa autorë, ose edhe në rastet kur arrestohen pas presionit ata sigurojnë gjithmonë vendime gjykatash që të dalin të lirë.

Lidhur me këto lloj vrasjesh, ekspertët thonë se në rastet kur grupeve kriminale u kapet drogë, humbet sasia, apo bie në duart e policisë pagesa është detyrim.

Këtu hyn prishja e pazareve që prodhon vrasje të njëpasnjëshme. Deri tani në Elbasan janë përmendur grupet Çapja dhe Çela, por ka edhe shumë të tjera, sikurse ishte edhe viktima e mbrëmjes së kaluar.

Sipas burimeve policore vrasja e së premtes në mbrëmje ka lidhje edhe me një tjetër atentat të fillimkorrikut të këtij viti, kur dy vëllezërve u është bërë atentat, nga i cili njëri humbi jetën, ndërsa tjetri mbeti i plagosur.

Ajo ngjarje është ende e pazbardhur. Por, në Elbasan në asnjë lloj operacioni nuk do të mund të asgjësohen bandat që veprojnë. Sepse, janë lidhur aq fort me hesapet e njëra-tjetrës, sa policia thuajse e ka të pamundur. Ndërkohë, shumë banda të tjera lindin pas atyre të hershme, duke e futur edhe më shumë në qorrsokak Policinë dhe luftën e saj ndaj krimit.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.