Paradoksi i Shqipërisë si kryesuese e OSBE

Nga Veton Surroi

Kryeministri Rama e ka të vështirë ballafaqimin me problemet e OSBE-së, duke qenë i zhytur në baltën politike në vend.

1.

Ditën e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do ta marrë kryesimin e OSBE-së, Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në pranim-dorëzimin që bëhet me kanale diplomatike, mund të imagjinohet skena ku Sllovakia, kryesuesi i deritanishëm, do ta informojë Shqipërinë për misionet paqeruajtëse të OSBE-së në Ukrainë, Gjeorgji, Transdnjestër (Moldavi) dhe Nagorno Karabah. Do ta informojë, po ashtu, për misionin në Kosovë (“Kosovo and Metohija” kur duhet folur me Serbinë, Rusinë dhe me tërë orbitën rreth saj). Dhe, mund ta informojë për misionin e OSBE-së në një vend që nuk është pjesë e zhbërjes së Bashkimit Sovjetik e ish- Jugosllavisë, një vend që quhet Shqipëri.
Shqipëria, kryesues i radhës i OSBE-së, pra, do të marrë informatën nga kryesuesi paraprak për punën që OSBE-ja bën në Shqipëri. Skena duket , dhe është, absurde, por nëse Shqipërisë dhe shqiptarëve u shërben si një lloj ngushëllimi, nuk është hera e parë që ndodh diçka ngjashëm. Bosnjë-Hercegovina u bë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkohë që përgatitej që raporti i radhës për shqyrtim në të ishte gjendja në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fakt, nuk është kurrfarë ngushëllimi. Bosnjë-Hercegovina nuk është shtet funksional.

2.

Shqipërisë pa dyshim i është bërë një nder me kryesimin e OSBE-së, në masë të madhe për shkak se është vlerësuar lart nga shumë shtete për rolin e saj pozitiv në tërë tragjedinë e luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe, kur u dakordua kryesimi për vitin 2020, perceptimi për të ishte për një shtet i cili tashmë është stabilizuar edhe si anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, një shtet mesdhetar-ballkanik që merr gradualisht dhe me siguri rrugën e një demokracie funksionale që u siguron perspektivë qytetarëve të saj. Në kësi konteksti, kryesimi vetëm sa do ta avanconte pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë drejt një pike të klubit të shteteve me kredibilitet.

Por Shqipëria, e cila do ta marrë kryesimin më 1 janar, vështirë që mund të japë ndonjë vlerë të shtuar, ndonjë shpjegim misionit në Luhansk të Ukrainës, intencës së rusëve të zvogëlojnë armatimin në Transdnjestër, apo thirrjeve rituale për pajtim në misionin e Nagorno Karabahut. Diplomacia ruse tashmë do t’u ketë shpjeguar klientëve të vet gjithandej “konflikteve të ngrira” se diplomatët e radhës që do të vijnë t’iu shpjegojnë se paqja është më e mirë se lufta edhe vetë kanë mision të OSBE-së brenda vendit të vet.Misioni quhet në formë të butë “prani” dhe merret, ritualisht, me një problem që riciklohet legjitimiteti demokratik i pushtetit. Apo, thënë shkurt, zgjedhjet.

3.

Misione të ngjashme të OSBE-së ka në Serbi dhe në Maqedoninë Veriore (njëri shtet gjithnjë më autokratik, tjetri gjithnjë më demokratik), por vendi i cili po e merr kryesimin e OSBE-së është në krizë serioze shtetërore, një krejtësisht origjinale krahasuar me gjithë çmenduritë që kanë ndodhur në fqinjësi të tij. Shqipëria hyn më 2020 tërësisht e çekuilibruar në pushtetet e veta. Gjyqësori i vendit ka mbetur tashmë dy vjet pa instancën më të lartë, atë Kushtetuese. Legjislativi i vendit nuk ka opozitë. Kryeministri nuk ka baraspeshë institucionale e politike, rrjedhimisht mund të qeverisë pa nevojë përfilljeje ndaj mendimit ndryshe. Presidenti i vendit, në mungesë të balancave mes legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit është shndërruar në opozitë. Opozita është shndërruar në spektator.

Kam frikë se Shqipëria që qe paraparë ta kryesojë OSBE-në më 2020 nuk është më dhe nëse ndonjëherë ka qenë e atillë, ka mundur të jetë vetëm në projeksion.

Kryeministri i vendit, figura e vetme që ka staturë të mjaftueshme në Qeveri për të qenë kryesues i OSBE-së, është dhe do të jetë gjithnjë e më thellë i zhytur në baltën e politikës së brendshme. Do të jetë vështirë e paramendueshme që çkado që të jetë përparësi për misionet paqeruajtëse të OSBE-së të mbërrijë ta ketë vëmendjen qoftë edhe njëminutëshe krahasuar me tërë makinacionet bizantine që do përdorur për të instaluar njerëzit brenda “reformës” në drejtësi. Sepse po nuk e bëre ti, e bën kundërshtari; po nuk e kape ti “reformën”, do ta kapë ai tjetri.

Tërë kësaj zymtësie do shtuar edhe tërmetin e 26 nëntorit, me pasojat e të cilit do të merret Qeveria e vendit intensivisht tërë pjesën e parë të vitit 2020.

4.

Kur Shqipëria fitoi përkrahjen për kryesimin e vitit 2020 u gëzuan jo pak njerëz dashamirë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo posaçërisht vlen për një gjeneratë diplomatësh që mund ta përfaqësonte vendin, dhe ngase një sfidë e këtillë do të kishte efekt edhe më të madh emocional; aparati shtetëror në këso rastesh rrit performancën edhe tej kapaciteteve të veta të njohura. Në kësi rasti ngjizet energji e re që shoqëria dhe shteti nuk kanë ditur që kanë.

Por, ka gjasa të mëdha që kjo të mos ndodhë, që Shqipëria të vazhdojë të avancojë në krizën e legjitimitetit të vet demokratik derisa të vendosë se duhet një prerje.

Dhe, në një lojë absurdesh që mund të lozë historia, shteti kryesues i OSBE-së mund të ketë nevojë të madhe për OSBE-në, në mënyrë që të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e vendore, e në mënyrë që të rifitohet legjitimiteti demokratik i institucioneve të përfaqësimit dhe ekzekutivi i tyre.

Nëse kryesimi i OSBE-së është konsideruar si një lloj ndihme e lehtë dhe e shpejtë mjekësore për problemet e parandalimit të konfliktit dhe tejkalimit të problemeve transicionale në demokraci, Shqipëria ka gjasa ta gjejë veten në paradoksin e ofruesit dhe kërkuesit të këtyre shërbimeve. Njëkohësisht. /© KOHA

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.