Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Prokurorët e SPAK/ Të pasur për një vit, pagat e tyre më shumë se kryeministri dhe Presidenti

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, të cilët do të dërgojnë para Gjykatës Speciale zyrtarët e lartë të korruptuar, duke u konfiskuar njëkohësisht edhe pasurinë e pajustifikuar me burime të ligjshme, do të shpërblehen me karrierë të shpejtë dhe vlera monetare.

Kështu parashikon ligji për statusin e magjistratëve si dhe një rregullore e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për ngritjen në detyrë të prokurorëve te SPAK-ut.

Përfaqësia diplomatike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar vazhdimisht, madje edhe këtë të enjte bëri të njëjtën gjë përmes një videoje, se pushtetarët e korruptuar dhe bosët e krimit do të japin llogari para SPAK-ut.

Por, goditja e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta është kusht kryesor për ngritjen në detyrë, vlerësimin dhe shpërblimin e prokurorëve të posaçëm. Neni 16 i ligjit për statusin e magjistratëve parashikon që magjistrati që ka vlerësimin më të lartë etik dhe profesional merr një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë ose rreth 3 mijë USD, brenda një viti.

Ndërkaq rregullorja e miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e cila shërben si standard, parashikon hetimin e çështjeve të ndërlikuara ligjërisht dhe në fakte është kriteri kryesor për vlerësimin më të lartë profesion.

Sipas rregullores së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, "çështje e ndërlikuar ligjërisht dhe në fakte" konsiderohen ato çështje ku subjekt i hetimit është një funksionar i lartë publik.

Gjithashtu, prokurorët e SPAK-ut do të marrin një pagë trefish më të lartë se paga aktuale e prokurorëve që nuk kanë kaluar vettingun. Nëse aktualisht, paga mesatare për prokurorët është nga 100 deri në 130 mijë lekë në muaj, paga e prokurorit të posaçëm do të jetë nga 280 deri në 380 mijë lekë në muaj, duke u bërë njerëzit më të paguar në Shqipëri, madje mbi Presidentin dhe kryeministrin.

Kjo vlen edhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun. Paga llogaritet në bazë të nenit 12 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas nenit 12, paga bazë e prokurorit të SPAK-ut apo e çdo prokurori që kalon vettingun shkon sa 90 % deri në 106 % e pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri.

Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit që llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë se sa 45 km, do të përfitojnë edhe 60 % të pagës.

Por, nuk mbaron me kaq. Prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit, do t?u kompensohet çdo shpenzim nëse punojnë në një rreth tjetër, do të paguhen për vështirësi etj. Ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.

Dhe kjo e ardhur e tyre mujore kalon edhe pagën bazë të kryeministrit dhe Presidentit, nëse u referohemi shifrave që ata përfitojnë si paga deri më tani.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore