Tre djemtë e Shijakut/ Trafik kokaine në 5 shtete, Shqipërinë e përjashtuan për “biografi”

Tre djemtë e Shijakut që u arrestuan nga një operacion ndërkombëtar me pjesëmarrjen e njësisë RENEA të Policisë shqiptare dhe vëzhgimit nga fillimi deri në fund të dy ekspertëve të Interforcës Italiane që vepron në Shqipëri janë emrat e fundit të një dosjeje me shumë fletë.

Emrat e tyre janë shkruar e “zeza mbi të bardhë” në një superdosje e hetuar në shumë shtete. Zë fill në Itali, por hetimet janë kryer edhe në Holandë, Brazil, Ekuador, Kolumbi dhe Shqipëri. Madje, për këtë persona ka aq shumë prova sa hetuesit thonë se do dënohen aq vite burgu sa do mjaftonte “hedhja e çelësit në det”.

Të arrestuarit kishin objekt të veprimtarisë së tyre kriminale trafikun e drogës. Jo të drogës dosido, por të kokainës, treg i së cilës kanë qenë të pasurit italianë, holandezë dhe të disa kombësive të tjera.

Kokainë e trafikuar nga Amerika e Jugut mbërrinte në Holandë e më pas duke përdorur automjete me targa franceze e gjermane, kokaina transportohej në Itali e kryesisht në territorin e provincës së Bergamos, ku kishte bazën operative ky grup kriminal.

Bosët shqiptarë të drogës kishin marrë me qera disa apartamente në qytetin e Bergamos, të cilat i përdornin për magazinimin e kokainës si dhe kishin në dispozicion një park të vërtetë me automjete të modifikuara me vende të fshehta për transportimin e drogës, makina që në shumicën e rasteve ishin porositur të tilla që në prodhim.

Aktiviteti investigativ i antidrogës italiane ka zbardhur se gjatë procesit të hetimit, pra përgjimeve kjo bandë ka trafikuar mbi 100 kg kokainë, ndërsa kanë mundur të sekuestrojnë në një rast ndërhyrje 24 kg kokainë, një pistoletë dhe rreth 300 mijë euro cash.

Në operacionin e së hënës që u krye njëherazi në disa shtete morën pjesë rreth 100 trupa policore dhe arrestimet u kryen në Bergamo, Brescia e Parma. Madje në komunën Pontoglio të Breshës u zbulua dhe një rafineri droge në zotërim të këtij grupi kriminal.

Por të tre djemtë e Shijakut ishin treguar “të shkathët”. Nuk e kishin ndotur karrierën e tyre me krime të këtij lloji në Shqipëri. Sipas tyre, referuar një përgjimi telefonik,  nuk kishin asnjë arsye të demonstronin në vendlindjen e tyre akte që në njëfarë mënyrë u prishnin “biografinë kriminale”.

 

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.