Katastrofa natyrore, leksioni që vjen nga Durrësi për inxhinierët e rinj

Prej ditësh, Durrësi është shndërruar në pikëtakimin e inxhinierëve të ndërtimit dhe të gjithë kanë një mision: vlerësimin e dëmeve që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Brezi i ri i specialistëve duket se po përfiton njohuri nga kjo katastrofë. Drejtuesit e Fakultetit mendojnë që studentët të praktikohen atje nga shkurti deri në qershor dhe i mbetet Rektoratit miratimi i kësaj kërkese. Në lagjen 18 të Durrësit, fare pranë Spitalit Rajonal, vijonin vlerësimet e dëmeve.

Banorët kërkojnë siguri. Me mbarimin e kësaj faze, një tjetër grup ekspertësh do t’i inspektojë të gjitha pallatet, për të marrë një vendim përfundimtar.

Teksa vazhdonte puna nga të rinjtë që do të diplomohen, të praktikuar me dëmet e tërmetit që u kishte dëmtuar edhe ambientet e fakultetit të tyre, pak kilometra më tutje, në zonën e plazhit, të tjerë inxhinierë inspektonin terrenin.

Ekspertët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit i raportojnë në bashki konstatimet e tyre, të cilat merren për bazë nga grupi i dytë i specialistëve që do të verifikojnë dëmet. Edhe të huajt kërkojnë të japin ndihmën e tyre.

Në Durrës, shiritat rrethonin vetëm ndërtesat që ishin dëmtuar nga tërmeti. Gjithësesi, kjo plastikë nuk mund ta fshihte detin dhe puna e specialistëve në terren ndizte shpresën se kësaj vije të bukur bregdetare do t’i kthehej shkëlqimi shumë shpejt.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.