Kina dhe Rusia, pakt për të “pushtuar“ Arktikun

Tashmë fuqitë botërore e kanë të qartë se zona ku do të paraqiten konfliktet më të mëdha në dekadat e ardhshme ka një emër konkret, dhe është Arktiku.

Sinjali më domethënës në këtë përballje të mundshme është shtimi i një vendi tjetër qe e quan veten arktik, përtej tradicionaleve SHBA, Kanada, Danimarkë (falë Groenlandës), Islandë, Norvegji, Suedi dhe Rusi. Këtyre vendeve i është vetë-shtuar kohët e fundit edhe Kina, që tashmë e quan veten vend “afër Arktikut”, status që i lejon të veprojë si protagoniste në manovrat gjeopolitike që po rrotullojnë rreth territorit të akullt.

Ndryshimet klimaterike kanë rritur temperaturat dhe shkrirë zona të mëdha arktike, që tashmë janë të kalueshme pothuajse gjatë gjithë vitit nga anijet komerciale të përforcuara për shpimin e akullit.

Rruga përmes Arktikut shkurton me shumë ditë transportin e mallrave ndërmjet Azisë dhe Amerikës, diçka që i intereson tej mase Pekinit.

Por Arktiku është interesant edhe për sasitë e konsiderueshme të mineraleve dhe gazrave natyrorë që ndodhen nën saj, dhe që më parë ishin të pa shfrytëzueshme.

Në këtë optikë, Kina ka nevojë për Rusinë dhe Moska kërkon të shndërrojë këtë bashkëpunim në një marrëveshje të leverdishme.

Në 2014, dy gjigantët firmosën një marrëveshje 400 miliardë dollarë, ku ndër të tjerët parashikohet një sistem tubacionesh e quajtur Power of Siberia, 3000 kilometra, që do të kalojë naftë dhe gaz nga Arktiku rus deri në pllajat kineze, që deri më tani janë ngrohur me qymyr.

Moska i shet burime natyrore Kinës, ndërkohë që Pekini po mbush arkat ruse me kapital të freskët, me klauzolën që ajo të shpenzohet pjesërisht në infrastrukturë në Arktik. Porte, aeroporte, industri, zhvillimin dhe modernizimin e vendbanimeve civile si dhe bazave ushtarake, në mënyrë që koha kur Arktiku do të jetë tërësisht i banueshëm mos t’i gjej të papërgatitur. Në të njejtën mënyrë Kina po vepron edhe në Groenlandën e kontrolluar nga Danimarka, ku kompani kineze zotërojnë ose kanë bërë oferta financiarisht të çmendura për të ndërtuar vepra infrastrukturore në atë territor.

Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë e më të shqetësuara nga manovrat ruso-kineze, të theksuara edhe nga vetë sekretari i Shtetit Mike Pompeo. Sipas disa analistëve, nëse fuqitë e globit do të përballen dikur dhe diku njëra me tjetrën, kjo do të ndodhë pikërisht me temperaturë nën zero.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.