I mbijetuari i tërmetit: Si arrita të shpëtoja nga vrima e vogël e betonit!


Pas 4 orësh nën rrënoja, Lavdosh Petoshati, sipërmarrës nga Durrësi, lutej për jetën dhe falenderonte Zotin që familja e tij, një kat më lart, i mbijetoi tërmetit. Dëmet e mëdha në biznesin e tij, nuk e ndaluan të dhuronte 5 milion lekë për të dëmtuarit nga tërmeti.

Fiks Fare solli historinë e një familjeje që i mbijetoi tërmetit shkatërrimtar ku në ato momente ata ishin në ambientet e biznesit. Kompania private e Lavdosh Petoshatit është e vendosur që në fillim të viteve 2000 në Shkozet të Durrësit. Lidhja e ngushtë që ka me biznesin por edhe me punëtorët e tij, e kanë bërë të krijojë një ambient familjar brenda fabrikës.

Gjatë mëngjesit të së martës ai bashkë me bashkëshorten, vjehrrën por edhe vajzën 5 muajshe ndodheshin në këtë ambient. Lavdoshi e tregon me shumë emocion momentin e tërmetit dhe sytë e tij, mbushen me lot sa herë përmend vajzën e mitur. Shpërthen në ngashërim sa herë përmend punëtorët e tij, të cilët pas rënies së tërmetit lanë familjet e tyre dhe nxituan për ta shpëtuar. Ai tregon tmerrin që përjetoi momentet e para kur u gjet i bllokuar nën rrënoja. Shpirti ju çel kur dëgjoi zërin e gruas, vjehrrës dhe vajzës. Ai u qetësua sapo mori vesh që ato ishin mirë. Me gjithë forcën thërriste dhe godiste hekurat, por bashkëshortja nuk e dëgjonte dot. Ai u mundua të jepte shenja jete dhe fatmirësisht nuk u braktis.

Në godinën katër katëshe e cila u shemb e gjitha që në sekondat e para të tërmetit, të parët që erdhën në ndihmë ishin punëtorët dhe grupet shpëtimit të ngritura nga vetë banorët. Më pas mbërriti zjarrëfikësja dhe ambulanca. Pas 4 orësh nën rrënoja është bërë e mundur që ai të nxirret nga një vrimë betoni. Ai tregon se ishte i vetëdijshëm, por mban mend shumë pak. Kujton se në momentet e fundit, një nga punëtorët hyri vet në vrimë, për ta nxjerrë që aty.

“Mendoja se ajo ishte godina më e fortë në Durrës, por nuk rezultoi ashtu. Jam i shokuar.Është e tmerrshme ajo çfarë ka ndodhur” rrëfen mes lotësh zoti Petoshati. Ai tregon se godinën e kishte blerë nga një ndërtues në fillim të viteve 2000, me leje ndërtimi, hipotekë etj. Të gjitha brenda rregullave. Por në fund tërmeti tregoi se dëmet më të mëdha ndodhen pikërisht në këto godina. Ndërsa repartet e vendosura në ambiente të ndërtuara para viteve 90 qëndrojnë në këmbë, të forta.

Biznesi ka pësuar shumë dëme, dhe nuk dihet nëse do të marrin veten nga e gjithë kjo situatë, por kjo nuk e ka ndaluar të dhurojë 5 milion lekë për të prekurit nga tërmeti. “Nëse do të kisha qenë mirë, nuk e di se çfarë do të kisha bërë” -shtoi ai.
Pas shpëtimit, ai dhe familja gëzojnë shëndet të plotë dhe në ndërtesë nuk ka njerëz të tjerë nën rrënoja, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale.

“Është një mrekulli që jemi gjallë. Jemi 4 të mbijetuar nga një tragjedi e madhe. Zoti ishte me ne” -me këto fjalë mbyll edhe rrëfimin e tij. Rrëfim që s’mund të ishte i lehtë për një sipërmarrës që ndjen përgjegjësi, jo vetëm për familjen, por edhe për 300 punëtorët e tij, që nuk e braktisën në ditën e tyre më të keqe.

Top Channel

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.