Top Story/ Tragjedia e rëndë në familjen Cara, momenti kur dolën 7 trupa të pajetë

Në Thumanë, po vijon me shpejtësi gërmimi për të gjetur të mbijetuar. Më fort se këdo tjetër tërmeti ka goditur familjen Cara. Plot 9 anëtarë të kësaj familje janë zënë nën gërmadha. Nga këta vetëm dy u nxorën me frymë jete prej gërmadhave. Shtatë të tjerë mbyllën sytë përgjithmonë. Ndërsa aksioni i kërkim-shpëtimit vazhdonte. Familjarët lusin Zotin edhe për një jetë më shumë që të dilte gjallë.

“Këtu në këtë shtëpi kam patur familjen e xhaxhait dhe djalin e xhaxhait. Djali i xhaxhait ka qenë në katin e 5, prej 6 persona. Nusja e xhaxhait prej 3 personash, në katin e parë. Deri tani ka shpëtuar vetëm Alberti, djali xhaxhait. Para pak minutash kemi përcjellë për në spital me shenja jete, do Zotit është gjallë”, tregon Sul Cara, familjarë.

Por puna vazhdon pa reshtur. Shpresat për të mbijetuar të tjerë në këtë apartament janë të pakta. Masa e inerteve duket shumë e ngjeshur.

“Mendohet se është një tragjedi. Mund te kemi humb 7 persona. Katër janë akoma nën rrënoja. E ka goditur fisin Caran në zemër. Lusim Zotin, zoti është i madh, aty ku po punohet mendohet se është një gjallë, me shpresë që zoti inshallah na fal dhe ndonjë jetë tjetër”, thotë Sul Cara, familjar.

Në këtë pallat jetonin 2 familje të fisit Cara. Familja e Albertit dhe Fatmirës. Dy njerëz të thjeshtë që i kishin rritur fëmijët duke punuar si shitës ambulantë në tregjet e zonës së Kurbinit. Fatmira ishte një vajzë e rritur në Thumanë, ndërsa Alberti vinte nga një familje Mirditore, të cilën sistemi komunist e kishte interrnuar në Thumanë. Ata patën 3 fëmijë: Almirin, Erisën dhe Hasanin që trashëgonte emrin e gjyshit.

Natën e tragjedisë në apartament me ta, ndodhej edhe e fejuara e Almirit, Diastela Steneci…një vajzë nga Korça e cila do të qëndronte pak ditë në Thumanë pranë familjes së të fejuarit. E ndërsa kamera jonë fokusohet mbi rrënoja has në diplomën bachelor të Almir Carës. Një pamje që të mbyt në trishtim. E gjithë kjo familje u shua e gjitha. I vetmi i mbijetuar është Alberti, kryefamiljari.

Në të njëjtin pallat me Albertin jetonte edhe nëna e tij, Anthi Cara. Ajo ndante një apartament në katin e parë me vajzën e saj Linditën dhe mbesën Sadajana. Lindita ishte divorcuar vite më parë nga bashkëshorti i saj dhe vajzën e vogël e kishte rritur Gjyshja. Megjithatë babai i Sadajanës dhe ish-bashkëshorti i Linditës mbante lidhje të vazhdueshme me familjen.

Familjarët tregojnë se natën e tërmetit ai ishte duke biseduar në telefon me të bijën deri në orët e vona të natës. Kur pa lajmin e tërmetit në media ai telefonoi përsëri të bijën, por telefoni i Sadajanës nuk u hap. Ajo tashmë ishte nën rrënoja bashkë me gjyshen që e rriti, dhe të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj familje.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.