“Gruaja e hekurt” e SPAK, e papritura që i ndodhi në vetting nga një informacion sekret

Prokurorja pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, kandidate për Prokurorinë e Posaçme, u përball me disa të papritura gjatë seancës dëgjimore, ku u njoh me rezultatet e verifikimit ndaj saj nga Komisioni i Vetingut.

Prokurorja që konsiderohet si “gruaja e hekurt” e SPAK-ut për shkak të dosjeve që ka çuar në gjykatë, hetimit për herë të parë të Emiljano Shullazit dhe të asnjë pasurie të paluajtshme vetëm pagën si prokurore, u njoh me përmbajtjen e një raporti të Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar ndaj saj.

Në raport shprehen dyshime për për përfshirje të prokurores Musabelliu në korrupsion pasiv në një çështje dhe dekonspirim të informacioneve sekrete në Prokurorinë për Krime të Rënda.

Por, trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, Pamela Qirko, Firdes Shuli tha se nuk mund të dilej në një konkluzion nëse raporti i DSIK ishte apo jo i bazuar në prova dhe fakte, pasi kjo çështje vijon të jetë nën hetim.

Ndërsa prokurorja Doloreza Musabelliu hodhi poshtë si të pavërtetë raportin, ndërsa tha se ishte tronditur. “Lidhur me raportin e dytë të DSIK për pastërtisë së figurës kam pësuar shok.  Kjo si pasojë e një raporti të paligjshëm. Ka dashakeqësi dhe abuzivitet. Punonjësit e DSIK duhet të kishin kryer të paktën dy verifikime, nëse unë isha njohur me informacionin e klasifikuar të M.M. dhe nëse kam hetuar atë.

DSIK në këtë rast nuk ka qenë institucion ndihmës, por ç’ndihmës. Kontrolli i figurës nga ana e tyre nuk ka qenë objektiv, por subjektiv. Raporti është i paplotë dhe abuziv pasi janë futur të dhëna që nuk kanë të bëjnë me mua, por me një prokuror tjetër. Raporti DSIK është i pabazuar pasi nuk kam disponuar asnjë informacion të klasifikuar sekret shtetëror.

Sipas DSIK paskam dekonspiruar kur kam kryer shpalljen e moskompetencës për çështjen në fjalë, por këtë e ka kryer një prokuror tjetër. Punonjësit e DSIK duhet të bëhen të përgjegjshëm. Nuk mund të cënojnë punën ime 15 vjeçare me dy radhë të paverifikuara”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi edhe disa mospërputhje në pasurinë e bashkëjetuesit të prokurores Doloreza Musabelliu, pasi vetë prokurorja nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, por vetëm pagën.

Problemi më serioz kishte të bënte me mosjustifikimin e një makine tip Volksëagen të blerë në vitin 2009 nga bashkëjetuesi në vlerën 10 mijë euro. Një pjesë të parave për këtë makinë dhe dy apartamente, bashkëjetuesi i prokurores ia kishte marrë babait të tij, por sipas KPK jo të gjitha shumat mbuloheshin me të ardhura të ligjshme nga babai.

Prokurorja për këto gjetje tha se: “Pasuria ime përbëhet vetëm nga 1.5 milionë lekë depozitë bankare dhe 500 mijë lekë në gjendje cash. Pasuritë e hetuara janë krijuar me të ardhurat e babait të bashkëjetuesit tim dhe unë nuk kam pasur asnjë kontribut. Gjatë punës së tij si noter babai i bashkëjetuesit ka pasur rreth 25 milionë lekë të ardhura dhe ka pasur mundësi për huanë 85 mijë euro që i ka dhënë të birit”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.