Ekskluzive Top Story/ Fatkeqësia më e rëndë e tërmetit, flet vëllai i Diena Karanxhës: Humba motrën dhe mbesën

Qindra qytetarë durrsakë, kanë ardhur t’i japin nderimet e fundit viktimave. Një detaj prekës i ka emocionuar të gjithë. Ajeti, i përcolli për në banesën e fundit vajzën dhe mbesën me fustan nusërie.

Top Story, u rikthye në vendin e tragjedisë një ditë pasi anëtarët e familjes Meçja u përcollën në banesën e fundit. Aty, shfaqej i trishtuar vëllai i Dienës, Marildoja.

Vështrimi i tij i ngrysur orientohej drejt rrënojave që dikur ishin banesa e kujtimeve dhe ëndrrave të bukura të fëmijërisë.

“Kam kaluar fëmijëri, kemi luajtur me fëmijët, shokët, kam kujtime me prindërit, me motrën”, tregon Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Përmes medieve, bashkëshortja e Marildos informohet për tërmetin e fuqishëm në Shqipëri. Ata provojnë të lidhen me të afërmit por askush nuk përgjigjej.

“Xhaxhai kishte ardhur në Durrës nga Kavaja edhe më tha Marildo ka rënë pallati. Si mo ka rënë pallat? Babai është këtu me mua, mendova se mos ishte mënyrë të thëni do kenë rënë muret. Tha: Diena, mami dhe Esiela janë brenda, Dienës i dëgjojmë zërin”, tregon Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Marildo mbërrin në atdhe me avionin e parë. Nxitimthi mbërrin në lagjen ku është rritur në qytetin bregdetar.

“Një shok nga Tirana më shoqëron për këtu, dhe kur kthehemi tek lagjja nuk shikoj pallatin, pallati kishte rënë. Ishte babai aty, i dërrmuar”, rrëfen Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

Aty, ai kupton se në rrënoja kishte mbetur nëna, motra dhe mbesa. Zoti kishte vendosur t’i merrte nga kjo botë. Diena, kishte ndjerë tërmetin e parë të rënë rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Ajo ndodhej me vajzën në një banesë në lagje tjetër ku jetonin me qira. Duke menduar se ndërtesa ku jetonin prindërit ishte më e sigurt, nënë e bijë zhvendosen për atje. Aty, vulosin fatin e tyre të zi.

Gjatë momenteve të shembjes së pallatit, arrin të dalë me dëmtime të lehta Ajeti. Ai sot është në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk dihet saktësisht se si ka arritur të dalë.

“Ai ndihej i abandonuar, ndihej fajtor edhe pse si ndodhën rrethanat s’kishte mundësi ti shpëtonte se mbeti i bllokuar në dhomë, dhoma ra mbi garazh. Në atë moment dëgjon Esielën që bërtet, bërtet… thotë gjyshi… apo bërtet, edhe siç bie nën garazh, pas 7-8 minutash del nuk e di drita hënës apo projektori dritë nga rruga, del duke lëvizur gurët, me mbathje, kanatjere e fillon kërkon”, rrëfen Marildo Meçja, vëllai i Dienës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.