Prapaskenat/ Rama po amniston pronarët e firmave që ndërtuan pallatet e shkatërruar

Pavarësisht intensitetit të tërmetit, një pjesë e pallateve në Durrës u shembën edhe nga cilëia e dobët e punimeve. Në shumë pallate mungonin kolonat mbajtëse, në disa të tjera punimet ishin aq “shkel e shko”, sa fundi u duk qartë me një tërmet 6.4 ballë. Nëse tërmeti do ishte me një magnutidë më të lartë, tragjedia do ishte më e rëndë.

Por, kush janë ata që kanë bërë pallatet? Si i kanë marrë lejet e ndërtimit? Kanë shtuar apo jo kate shtesë, siç ndodh gjithmonë në tranzicion, e ku në katin e fundit pronari zgjedh të jetojë vetë.

Në Durrës, kjo u vu lehtë në dukje. Pallate të tjera pa llogaritur ato të rrënuara tërësisht kanë dëmtime serioze në strukturë, çka nuk ka lidhje me tërmetin në vetvetë, por me cilësinë e ndërtimeve.

Magnituda e tërmetit ishte e njëjtë, si për pallatet me cilësi edhe ato që dolën qartë se ishin pa cilësinë e duhur. Megjithatë, tashmë ka vetëm një pyetje?

Kush duhet të paguajë dëmtimet e pallateve që nëse nuk janë klasifikuar si të pabanueshme do të duan miliona lekë për rikonstruksion? Kryeministri Rama në ditën e dytë të tragjedisë që u shënua në Shqipëri e vuri gishtin tek ndërtuesit, duke u kërkuar atyre të nisin nga puna për riparimin e dëmeve.

Por, kjo që po bën Rama në fakt është një amnisti. T’i kërkosh një pronari pallati sot të ndërhyjë në rregullime që nuk është çudi t’i bëjë edhe ato pa ndonjë cilësi, do të thotë se e ke falur jo pak.

Artikulimi i tij për ndryshime në Kodin Penal për dënimin nga 7 deri në 15 vjet të ndërtuesve i përket së ardhmes. E sotmja është emergjente dhe Rama nuk po bën asgjë tjetër veç një aministi për ata që kanë ndërtuar gabim, për ata që kanë dhënë lejet.

Hetimet e nisura janë një procedurë që ndoshta në fund edhe të gjejë fajtorë, por në asnjë rast ata nuk do të jenë pronarët e pallateve, por inxhinierë zbatues, teknikë dhe zyrtarë që kanë dhënë leje përmes shpërdorimit të detyrës.

Në rastin konkret po flasim për pronarët, ata që kanë miliona dhe kanë hedhur miliona për të ndërtuar, e që me “llaç e tulla” kanë fituar miliarda.

Sa për hetimet, të gjitha gjasat janë të mos ketë asnjë rezultat pozitiv. Sepse, provat tashmë janë asgjësuar. Pallatet nga e cila mund të vërtetohej nëse e kishin numrin e duhur të kolonale, sasinë e hekurit, cilësinë e çimentos, apo rërës janë rrafshuar, ndërsa hetimet sapo nisën.

Përse nuk nisi që të nesërmen e tragjedisë hetimi, por u regjistrua tre ditë më vonë, në 29 nëntor, një ditë pushimi zyrtare?!

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.