Cilësia skandaloze/ Shumica e pallateve në Durrës, janë ndërtuar nga biznesmeni Hazir Gashi

Durrësi ishte epiqendra e tërmetit prej 6.4 ballë të shkallës rihter dhe që pësoi dëmtimet më të rënda në pallate, hotele, apo njësi të tjera të shërbimit publik dhe jo vetëm.

Por, situata më e rëndë u paraqit në pallate, atje ku shumë njerëz kursimet e një jete i vunë në dispozicion për të blerë apartamente dhe më në fund për të qenë pronarë të një shtëpie.

Jo pak, por 76 pallate janë dëmtuar pjesërisht, apo dëmtuar plotësisht dhe të shndërruar tërësisht në të pabanueshëm. Tërmeti dhe madhësia e tij në shkallën rihter ka qenë shkaku kryesor që shkatërroi pallatet.

Por më shumë se kaq, doli në pah cilësia skandaloze e ndërtimeve, makutëria e disa njerëzve për të vjedhur gjithkënd e gjithçka.

Pallatet që u shembën apo u dëmtuan rëndë, janë ndërtuar nga biznesmeni Hazir Gashi, ndaj të cilit qyetarët e dëmtuar e akuzojnë tashmë se janë bërë punime pa cilësi edhe pse e kanë blerë një hyrje “sa frëngu pulën”.

Hazir Gashi ka ndërtuar shumë pallate në Durrës para se të merrte mandatin e deputetit. Ai ishte 100 për qind aksioner i firmës “Drenova” e regjistruar si SHPK në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit me objekt veprimi në fushën e ndërtimit, etj.

Dhe si për çudi, nëse do ishte vetëm tërmeti “fajtori” për të gjithë, atëherë edhe njerëzit do të ishin më të qetë, sepse në fund të fundit, lëkundjet sizmike as i parashikon dhe as i ndalon njeri.

Nuk dihet se çfarë material ndërtimi është përdorur, përderisa pallatet u shkërmoqën si kala rëre. Me siguri material me koston më të lirë e me cilësinë më të dobët.

Sigurisht, Hazir Gashi nuk është i vetmi ndërtues që ka punuar e ndoshta vijon të ngrejë pallate disakatëshe me cilësi skandaloze ndërtimi. Por, ndoshta sot është koha për t’u thënë ndal të gjithë atyre të pangopurve që luajnë me jetët tona.

Dhe mbi të gjitha, akuzave të qytetarëve që kanë sjellë edhe mjaft video në Redaksinë e Gazetës Shqip nuk u është përgjigjur asnjë përfaqësues i firmës.

Cilësia e keqe e punimeve “u varros” me shembjen e tyre tashmë edhe nga IKMT, por koha është për hetime ndaj të gjithë ata që ndërtuan “shkel e shko”, që dhanë leje ndërtimi përmes veprimeve korruptive, apo në fund morën në dorëzim apartamente pa asnjë certifikim.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.