“Shqiptarë, hapni sytë…”, Kushtetuta, vija e kuqe e Metës!

Presidenti Ilir Meta, ashtu sikurse edhe pati lajmëruar gjatë ditës doli përpara mediave në një konferencë të jashtëzakonshme, që kishte për kryefjalë Kushtetutën e Shqipërisë.

“Kushtetuta është ligji suprem, është trupi që mishëron parimet themelore sipas të cilave qeveriset një vend. Jetëgjatësia e Kushtetutës është treguesi më i drejtpërdrejt i fuqisë së saj për të qëndruar e pacenuar dhe e paprekshme, si një tempull i shenjtë që i shërben shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor” – tha Meta.

Sipas kreut të shtetit, sa më serioz, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm sistemi demokratik i një vendi, aq më i rrallëdhe i panevojshëm është ndryshimi i Kushtetutës. Sepse, sipas tij, Kushtetuta rrjedh nga besimi dhe dakordësia epopullit për t’u qeverisur nga një trup vlerash dhe parimesh që bashkarisht i konsiderojnë të paprekshme.

“Kushtetutat pothuajse gjithmonë kanë lindur në kohë krizash, si domosdoshmëri për mbrojtjen nga pushteti arbitrar dhe ilegjitim. Për këtë arsye është Kushtetuta e një vendi ajo që vendos kufirin e përqendrimit të pushtetit të çdokujt që lakmon të jetë i gjithëpushtetshëm” – deklaroi Meta. “Kushtetuta mbetet e para dhe e fundit vijë e kuqe, e pakalueshme, për sa kohë fuqia e saj buron prej popullit”-  deklaroi Presidenti Meta.

Populli vendosi se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancën ndërmjet tre pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – tha Meta. “Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008.

Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive.

Ndryshimet thelbësore që u bënë në Kushtetutë në vitin 2016 kanë nxjerrë sot në pah dhe tri probleme të tjera akute, të cilat, për të qenë të vërtetë, u paralajmëruan se do të ndodhnin.

Së pari, Kushtetuta, nga dokumenti themeltar i shtetit që lartëson parimet, u kthye në një rregullore me data dhe afate, të cilat për fat të keq janë shkelur që të gjitha. Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar një kaos kushtetues dhe ligjor që po çon nëparalizimin dhe destabilizimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend.

Së dyti, siç Komisioni i Venecias pati paralajmëruar, zbatimi i këtij procesi drastik dhe të pashembullt, do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke patur parasysh burimet njerëzore në dispozicion.

Qëllimi i reformës nuk ishte falimentimi i sistemit gjyqësor, por reformimi i thellë i tij dhe rritja e besueshmërisë së qytetarëve te drejtësia shqiptare. Organet e reja të gjyqësorit do të duhet të kenë në radhët e tyre një trupë profesionistësh me integritet dhe jo thjesht disa emra që duhet të mbushin vakancat që po kolapsojnë të gjithë sistemin e drejtësisë.

Së treti, përsëri paralajmëruar nga Komisioni i Venecias, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella kushtetuese do të duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet.  Ndryshe nga çfarë këshilloi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm dhe larg transparencës” deklaroi Meta.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.