Meta, thirrje për Referendum/ Ndal armiqve të Shqipërisë!

Presidenti Meta ripërsëriti kërkesën për referendum. Teksa iu referuar Kushtetutës që vendos se  sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancën ndërmjet tre pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – tha Meta.

“Tashmë jemi përpara një situate edhe më dramatike, ku Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ajo që na rekomandoi Komisioni i Venecias, po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllimin e vetëm të përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual” – tha Meta.

Sipas tij, jemi në kushtet ku qeveria nuk është llogaridhënëse ndaj askujt në Republikën e Shqipërisë; Ku pushteti ekzekutiv është unifikuar me pushtetin legjislativ; Ku nga Kuvendi i Shqipërisë janë dorëhequr 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës; Ku numrin kushtetues të përcaktuar qartë prej 140 deputetësh të Kuvendit ai nuk e plotëson dot më prej gati 10 muajsh; Ku janë kapur të gjitha bashkitë e vendit, në një proces antiligjor me votime një-partiake, duke dhunuar edhe parimin kushtetues të autonomisë vendore;

Për Metën, Kuvendi është lënë qëllimisht për dy vite radhazi pa Gjykatë Kushtetuese dhe ku po bëhet çmos për bllokimin e mëtejshëm të krijimit të saj siç e parashikon Kushtetuta; Kuvendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, si pasojë e së cilës janë mbivendosur mbi 32.000 çështje gjyqësore, që do të kërkonin të paktën 20 vite për t’i trajtuar nga sot; pra me këto afate një pensionist mund të mos arrijë ta gëzojë kurrë pensionin që i takon.

“Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë së votuar me konsensus me 140 vota është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, për të korrur ato rezultate mahnitëse që ju i dini të gjithë; Ku dhunohen të drejtat e qytetarëve në mënyrë arbitrare, duke u rrëmbyer pronën, shtëpitë e bizneset në mes të ditës; Ku kanë kaluar mbi 20 ligje antikushtetuese qëcenojnë hapur interesin publik; Ku qeveria për të pasuruar një kastë oligarkësh, që i shërben asaj verbërisht, ka krijuar një borxh që qytetarët shqiptarë do të duhet ta shlyejnë në 20 vitet e ardhshme; Ku fjala e lirë është zëvendësuar nga censura dhe autocensura në shërbim të propagandës; Ku Shqipëria zhytet poshtë e më poshtë në të gjithë treguesit politikë, ekonomikë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut” – deklaroi Ilir Meta.

Sipas tij, vendi po shpopullohet pa ndalim, duke bërë fajtor për këtë rezultatet e sukseseve imagjinare në Shqipëri, ku nuk ka më asnjë investim serioz as nga ShBA, as nga Gjermania, as nga Franca, as nga Italia, e as nga Britania;

“Ndaj është koha për t’i thënë NDAL këtij degradimi të shtetit dhe të atdheut tonë! Shqipëria e ka pësuar një herë dhe është përbetuar kombëtarisht në Lëvizjen Studentore të viteve ‘90, se kurrë më Diktatura nuk do të përsëritet, as de Facto dhe as de Jure” – deklaroi Meta.

Por, në të njëjtën kohë bëri edhe një premtim. “Unë, si President i Republikës, do të qëndroj si kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia, përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare.

Shqipëria nuk mund të drejtohet me Rezolutë, por vetëm me Kushtetutë! Shqiptarët të hapin sytë, të marrin fatin e tyre në dorë, në mbrojtje të Kushtetutës dhe që fëmijët e tyre të mos ikin më nga sytë këmbët në atdheun e tyre! Kushtetuta e Republikës është Vija e Kuqe dhe e kuqe flakë, e pakalueshme nga armiqtë e saj dhe të Republikës së gjithë shqiptarëve!  Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë shpresëhumbur!

Presidenti do të jetë në mbrojtje të drejtpërdrejt të Lirive dhe të drejtave themeloretë Popullit Shqiptar!

Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar, që përmes Referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai, që do të vendosë nëse pranon të rikthehet në Diktaturë apo do të mbrojë Demokracinë që është fituar me shumë trimëri, vuajtje dhe sakrifica njerëzore.  Vendimi i drejtpërdrejtë i popullit dhe i sovranit të përgjithshëm,është mbi të gjithë.  Referendumi është demokracia direkte dhe në veprim! Presidenti i Republikës, do bëjë gjithçka që kjo e Drejtë të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë.

Kjo është Detyra ime, për të cilën jam betuar solemnisht dhe me gjithë zemër me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe do ta mbroj, ashtu sikundër dhe jam betuar, deri në fund!

Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë! Shqipëria e Para! – e përfundoi Meta konferencën për shtyp, ndërsa në fund të saj, si gjithnjë kryqëzoi duart me simbolin e shqiponjës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.