Ish ministrat shfaqen si “shenjtorë”, bëjnë opozitë me qeverinë

Protesta studentore nxiti kryeministrin Rama ta riformatonte qeverinë e tij duke larguar nga detyra disa nga ministrat kryesorë. Ata tashmë në Kuvend po bëjnë një oponencë të fortë për pasuesit në qeveri.

I pari që u dallua ishte ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili e përjetoi keq largimin nga detyra. Në kohën kur opozita jashtëparlamentare fliste për lidhje të qeverisë me oligarkët, ja cila ishte deklarata e Bushatit në Kuvend.

“Më shqetëson përqendrimi i të ardhurave në një grusht njerëzish, më shqetëson prirja jonë për zgjidhje të lehta në vend që të punojmë për modele të qëndrueshme. Edhe pse kam respekt maksimal për kapitalin, më shqetëson që ne vazhdojmë të eksportojmë kapital njerëzor 30 vite pas shembjes së regjimit komunist”, shprehet Ditmir Bushati.

Ministri i dytë shumë aktiv në kritika për pasardhësen e tij është Arben Ahmetaj, duke e vënë në pozitë aspak komode pasardhësen Anila Denaj kur ajo prezantoi projektbuxhetin.

Ahmetaj fliste në komisionin parlamentar të ekonomisë, për punë të dobët në mbledhjen e të ardhurave nga administrate tatimore. “Të ardhurat e ulëta, shpërblimi për pensionistet premtim i mazhorancës, rritja e pagave e munguar”, ka thënë Arben Ahmetaj.

Ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk ia kurseu kundërshtitë pasardhësit Sandër Lleshaj, kur gjenerali ministër, i kërkoi parlamentit ndryshime në ligjin e vetingut në polici.

Në krahasim me ish ministrat Bushati, Xhafaj dhe Ahmetaj, ish ministri Damian Gjiknuri ka patur doza kritike të ulëta, por nuk ka hezituar t’i dërgojw një video mesazh pasardhëses së tij Belinda Ballaku, e cila sapo mori detyrën ka zhbërë shumë vendime dhe tendera të bëra në kohën kur transportet i drejtonte Damian Gjiknuri.

Ky i fundit reagoi disa javë përpara se Balluku të anulonte edhe një tender për rrugën Kardhiq-Delvinë. Gjiknuri kërkonte që Ministria e Infrastrukturës dhe ARRSH të çonin përpara këtë projekt rrugor.

Por qershia mbi tortë e oponencës së ish ministrave të qeverisë Rama ndaj qeverisë Rama 2, ishte ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja. Në kulmin e një fushate për të rritur sigurinë ushqimore, ish ministri doli në krah të bizneseve abuzuese dhe kundër Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke propozuar në Kuvend një amendament për faljen e gjobave të 70 biznese.

Kundër propozimit të ish ministrit u vendos e gjithë qeveria dhe mazhoranca me vendim politik ja rrëzoi propozimin. Megjithatë Beqja loboi dhe siguroi 31 vota pro./Top Channel

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.