Albin Kurti dhe Isa Mustafa, ende larg marrëveshjes për postet në Qeveri

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka folur për mediat pas takimit që e pati me Isa Mustafën, kreun e LDK-së. Pas takimit që zgjati pak më shumë se një orë, Kurti  tha se palët kanë rënë dakord që të takohen sërish javën e ardhshme.

“Patëm një takim konstruktiv me kryetarin e LDK-së. Takim zhvilluam edhe me grupet tona punuese që po harmonizojnë programin e ardhshëm qeverisës. Ne diskutuam për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe u morëm vesh që një orë pas certifikimit të rezultatit, do të takohemi që ta bëjmë marrëveshjen brenda tre-katër ditësh.

Pastaj kemi rënë dakord që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ndaj ftesa ime dhe përgjigja pozitive e kryetarit Mustafa tashmë është e dhënë.

Ne do të takohemi një orë pas certifikimit të rezultateve dhe brenda 72 orëve e përfundojmë marrëveshjen përfundimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës”, shtoi lideri i VV-së. Kurti tha se marrëveshja e koalicionit tashmë i ka 26 faqe tekst.

“Do të vazhdojnë takimet mes grupeve tona punuese për harmonizimin e programit qeverisës që deri në këto çaste i ka 26 faqe tekst. Kemi dëshmuar një kulturë të re të formimit të qeverisë, me fjalë të tjera u dakorduam për një tempo të re”, përfundoi ai.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka folur para mediave pas takimit që pati me liderin e VV-së, Albin Kurtin ku diskutuan për koalicionin. “Ne kishim një takim me zotin Kurti para certifikimit të rezultateve, vlerësuam procesin e harmonizimit të programit qeverisës që është bërë në këtë periudhë dhe erdhëm në përfundim se është bërë mjaftueshëm në këtë aspekt, sepse janë harmonizuar shumë çështje të politikave të zhvillimit ekonomik të vendit”, ka thënë ai. Mustafa tutje ka shtuar se janë marrë vesh që pas certifikimit të bisedojnë konkretisht për mundësinë e krijimit të qeverisë.

“U morëm, vesh që po sa të bëhet certifikimi i rezultateve të ulemi bashkërisht të merremi vesh për mundësinë e koalicionit dhe themelimit të qeverisëse”, tha lideri i LDK-së. Sa i përket Listës Serbe, Mustafa tha se dotë ketë bisedime edhe me ta.

“Sigurisht se do të ketë biseda me Listën Srpska dhe varësisht nga ato biseda do të jetë edhe vendimi. Sa i përket edhe Listës Serbe edhe partnerëve të mundshëm të koalicionit, i mbetet atij që del i pari nëse VV certifikohet si parti e parë , mandatari i ardhshëm i thërret tjetër për marrëveshjen e ardhshëm, agjenda varet nga partia që del si parti e parë”, shtoi tutje. Mustafa tha se sot nuk është diskutuar për poste apo ministri konkrete.

“Për poste s’kemi biseduar, as për ministri konkrete, kemi biseduar se do të merremi vesh në marrëveshjen për koalicion për të gjitha pozitat”, tha ai.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.