Eksperti gjerman: Shengeni ballkanik, Ramës i duhet për vete

Ideja e një mini-Shengeni ballkanik, ndonëse është përshëndetur në perëndim, nuk ka ngjallur të njëjtën entuziazëm edhe në radhët e krerëve politikë në Prishtinë. Lidhur me këto zhvillime, eksperti gjerman për Ballkanin, Bodo Weber, në një intervistë për “Gazetën Express”, tha se i kupton plotësisht këto lëvizje të Edi Ramës.

Sipas Weber-it, kryeministri i Shqipërisë  ka nevojë për pak avantazh politik pas bllokimit që iu bë çeljes së negociatave për anëtarësim. “Unë e kuptoj  nevojën e kryeministrit Rama për një sukses politik, duke pasur parasysh bllokadën e dëmshme të Francës,“ është shprehur ai.

Rama, sipas analistit gjerman, nuk është në pozitat të luajë rolin e mbrojtësit të interesave të Kosovës, duke qenë së dy vitet e fundit ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve. “ Për fat të keq, ai e ka dëmtuar imazhin e tij si ndërmjetës i sinqertë dhe mbrojtës i interesave të Kosovës”, mendon Weber. Ai shprehet më tej se është në dorën e autoriteteve të Kosovës të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në iniciativën për krijimin e një Shengeni ballkanik.

I pyetur nëse është mirë që Kosova të kundërshtojë një nismë të tillë të cilën e mbështet dhe Departamenti i Shtetit amerikan, Weber rikujton rezistencën e Prishtinës zyrtare ndaj presionit të administratës së Trumpit për idenë e shkëmbimit të territoreve, dhe thotë se nuk beson që qëndrimi i DASH do të ketë ndonjë ndikim substancial, në rast se Kosova vendos  të mos përfshihet në një iniciativë të tillë.

Analisti gjerman shpreh më tej skepticizmin e tij lidhur me gatishmërinë e Serbisë për largimin e barrierave tregtare mes shteteve, kur ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë që prej anëtarësimit në CEFTA.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.