Kush e kërcënoi dhe terrorizoi Bernd Borchardt në maj të 2019?!

Në maj të vitit 2019, në Tiranë është shënuar një incident, që për pak mori përmasat e një skandali të karakterit diplomatik, por që nuk rezultoi kështu.

Ishte koha e protestave të Partisë Demokratike dhe në kuadër të asaj që ndodhte në Tiranë, OSBE doli me një deklaratë në të cilën thuhej se drejtuesit e protestës do të mbanin përgjegjësi penale për dhunën.

Kaq mjaftoi që më pas një grup personash, për të cilët nuk u tha asnjëherë zyrtarisht se cilët ishin i kanë shkuar në pallatin ku jeton Bernd Borchardt dhe i kanë shkruar në hyrje “Borchardt të të vijë turp” në gjuhën angleze. Basha dhe opozita e konsideruan atëherë si një “lojë fëmijësh”, por vetë Borchard, si aspak të tillë.

Por, mesa duket kjo ka lënë gjurmë tek Ambasadori i OSBE, që në një intervistë për “Panorama”, teksa shpjegon gjestin e tij me gishtin e mesit thotë: “Kisha dalë për shëtitje me bashkëshorten time atë mbrëmje, pa qenë në dijeni se po zhvillohej një protestë përpara Drejtorisë së Policisë, aq më pak të dija se për çfarë po bëhej protesta.

Papritmas, na u afruan disa burra, njerëzit bërtisnin duke na sharë dhe silleshin në mënyrë agresive. Më duhet ta theksoj, ishin burra, jo gra apo fëmijë, siç po pretendojnë disa media tani. Kjo na gjeti tërësisht të papërgatitur mua dhe bashkëshorten time dhe ajo me të drejtë, u frikësua.

Nëse e shihni fytyrën e saj të tmerruar, në videon e shpërndarë gjerësisht, atëherë e kuptoni se çfarë ndodhi. Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u ndjemë të kërcënuar drejtpërsëdrejti dhe u çorientuam.

Mendova se ishin të njëjtët dhunues që na terrorizuan në apartamentin tonë, në katin e 12-të, në mesnatë, në maj të vitit 2019 dhe e humba kontrollin emocional për pak sekonda. U pendova dhe kërkova ndjesë menjëherë, duke kuptuar që mund të kem fyer njerëz të tjerë, ata të cilët po protestonin përballë zyrave të Policisë dhe për ankesat e të cilëve nuk kisha dijeni.

Ende më vjen keq dhe ende i qëndroj ndjesës publike që kam bërë. E shikoj tani se si disa media e vendosin këtë incident në rrotullën politike. Ky keqinterpretim bëhet me keqbesim dhe është i motivuar politikisht” – ka pohuar Ambasadori i OSBE në Tiranë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.