Basha premton anulimin e Milot-Balldren, që mbrohet nga një TV Kombëtar

Në një takim me banorët e Lezhës, kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri të ditur sot se afera e parë korruptive që PD-ja do të anulojë sapo të marrë qeverisjen do të jetë koncesioni i 17 km të rrugës Milot-Balldren. E para, po jo e fundit, theksoi Basha para fermerëve të Lezhës.

“Paratë që duhet të vijnë për të mbështetur fermerët shkojnë në drejtim tjetër. Me afera të tilla si Milot-Balldreni, 300 milionë për 17 km, nuk ka për të pasur para për fermerët as vitin tjetër, as pas 10 vjetësh.” – tha Basha.

Por me këtë premtim, kreu i PD, duket se po i hap “luftë” edhe një televizioni kombëtar, i cili ka qenë shumë pranë Partisë Demokratike, kur Sali Berisha qeveriste vendin.

Pavarësisht vlerës së tej fryrë, që sipas Bashës janë mbi 17 milionë euro për km, televizioni në fjalë ka bërë jo pak kronika në mbrojtje të projektit Milot-Balldren, duke pasqyruar efektet pozitive që sjell rruga. Dyshimet janë që pas aferës së rrugës Milot-Balldren, fshihen pikërisht pronarët e këtij televizioni.

Në të njëjtën kohë “lufta” mes kreut të PD dhe këtij televizioni duket se ka nisur prej kohësh, pasi Lulzim Basha, jo vetëm që nuk është parë prej kohësh në studiot e tv në fjalë, por në edicionin e lajmeve nuk kanë munguar as kronikat kundër tij.

Në kuadër të shumë premtimeve që kreu i PD, Basha, po bën në turin e tij “Rrugëtim për Shqipërinë”, është edhe ky për anulimin e koncensionit të rrugës Milot-Balldren. Nuk dihet nëse Basha e ka seriozisht me sulmet ndaj këtij koncesioni, pasi një prej eksponentëve të PD-së, Sali Berisha, as nuk i ka zënë kurrë me gojë shifrën e fryrë për Milot-Balldren.

Por nëse e ka seriozisht, apo thjesht premtim “inati” mbetet për t’u parë kur kreu i PD të marrë pushtetin, gjithmonë nëse kjo do të ndodhë. Gjithsesi fakt mbetet që televizioni në fjalë vijon ta mbrojë projektin me shifra marramendëse, dhe e “shet” për publikun si një mrekulli.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.