Përse Ilir Meta është kaq i shqetësuar?!

Rama dhe Meta janë në një luftë të ftohtë mes tyre. Por ndërsa Rama ka zgjedhur Kuvendin  për t’iu kundërvënë kreut të shtetit, ky i fundit është “i vetëm trim në luftë”.

Që prej së hënës, kur Kuvendi votoi dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, Ilir Meta e ka humbur krejtësisht qetësinë për të cilën thotë se e karakterizon si individ, por edhe ca më tej si President. Tani në lojë është Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti është mjaft i shqetësuar.

Po përse Ilir Meta është kaq i shqetësuar?! Në fakt, Ilir Meta ka shumë arsye për të qenë i shqetësuar. Janë dy shkelje të rënda të Kushtetutës që mbajnë firmën e tij.

Së pari, në rastin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe dekretimit të 13 tetorit. Dekret që u pasua me nisjen e procedurave nga mazhoranca për shkarkimin e tij dhe ngritjen e grupit hetimor parlamentar për këtë arsye.

Së dyti emërimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese është një tjetër shkelje e Kushtetutës. Sepse, Xhaferllari ishte e renditur e katërta në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Dhe mbi të gjitha ajo nuk mund të ishte kurrësesi një zgjedhje e parë, sepse e ka humbur titullin e magjistrates, pasi është shkëputur nga sistemi gjyqësor prej vitesh, për shkak të detyrës së saj në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta është i shqetësuar pikërisht për këto dy shkelje të Kushtetutës, pavarësisht betimeve e stërbetimeve se për të Kushtetuta është e shenjtë. Edhe pse nuk kanë të sosur deklarimet se kush kërkon të ketë fuqi mbi Gjykatën Kushtetuese dhe një presion mbi të, Ilir Meta ndoshta ka më shumë arsye për të qenë i shqetësuar, nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do të ishin “në krahun e tij”.

Dy janë vendimet që pritet të japë Kushtetuesja në pak kohë. E para ajo që lidhet me Ilir Metën dhe vetëm me të për dekretin e 13 tetorit, pas zhdekretimit të 30 qershorit dhe e dyta vendimmarrja e asaj që do dalë në konkluzionet përfundimtare nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Frika e shkarkimit, e “kompletuar” deri diku edhe nga Raporti i Komisionit të Venecias është arsye e fortë që Meta të jetë i shqetësuar dhe të kërkojë të ketë një “marrëdhënie të mirë” me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Vitore Tusha dhe Besnik Muçi ishin dy të listës së Metës, por pakicë nëse respektohej ligji dhe presidentit i duhej një e tretë për të shpëtuar. Dhe për këtë gjeti Marsida Xhaferllarin, duke hedhur firmën mbi një tjetër dekret që shkakton krizë institucionale.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.