Meta përjashton ambasadorët e SHBA dhe BE në ceremoninë e betimit (FOTO)

Asnjë përfaqësues i selive diplomatike të huaja në vendin tonë, që nga SHBA e BE, nuk ka qenë i pranishëm në ceremoninë e betimit të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që ka zhvilluar Presidenti i Republikës.

Në videon që ka shpërndarë vetë Presidenca bie në sy mungesa e diplomatëve të huaj. Ndryshe nga rasti i betimit të Besnik Muçit që ndërkombëtarët ishin të ftuar, çka duket edhe në foton që shoqëron këtë shkrim.

Në ceremoninë për Muçin ishin të pranishëm ambasadori i BE, Luigi Soreca, zëvendës ambasadori i SHBA, Dan Koski, ambasadori italian Alberto Cutillo, ambasadori gjerman, Peter Zingraf, dhe ajo franceze, Christine Vasac.

Ndërsa në ceremoninë e së enjtes, asnjë diplomat nuk ka qenë i pranishëm. Ceremonia është zhvilluar vetëm në praninë e stafit të Presidentit, të afërmve të personave të betuar dhe dy anëtarëve aktualë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha dhe Besnik Muçi.

Burimet thanë se nuk kanë pasur ftesë nga Presidenti Meta për ceremoninë e sotme dhe mbi arsyet e mospjesëmarrjet.  Nuk dihet arsyeja përse Meta nuk ka shpërndarë ftesa për diplomatët në ceremoninë e tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por ajo që dihet është se kreu i shtetit vetëm një ditë më parë i sulmoi ambasadorët si të korruptuar.

“Ua kam thënë edhe disa diplomatëve të korruptuar, ne kemi bërë një marrëveshje që asnjë ditë Shqipëria nuk do të mbetet pa gjykatë funksionale”, deklaroi Meta një ditë më herët, kur doli për të mbrojtur dekretin për Xhaferllarin, ndërsa sot mund të ketë pasur frikë se ndonjë prej tyre nuk i shkon për shkak të saj.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.