Bilanc lufte në Shqipëri me aksidentet, 182 viktima dhe 1531 të plagosur në 10 muaj

Bilanc lufte kanë regjistruar aksidentet rrugore në vendin tonë. Sipas Policisë së Shtetit, 10 muajt e fundit të vitit 2019 kanë ndodhur plot 1254 aksidente, nga ku 182 persona kanë humbur jetën, 221 persona u plagosën rëndë dhe 1310 persona të plagosur lehtë.

Janë identifikuar disa pika të zeza në të cilat kanë ndodhur shumica e numrit të aksidenteve me pasoja fatale, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Fiks Fare në lidhje me këto pika të zeza në rrugët tona, ka siguruar një raport të Bashkimit Europian i cili i ka detajuar dhe analizuar edhe se si duhet të veprohet për të ndërhyrë në to.

Raporti citon se këto pika të zeza janë krijuar si pasojë e gjendjes së keqe të rrugëve, edhe pse shumica e tyre janë ndërtuar vitet e fundit, ato janë jashtë parametrave të sigurisë së përdoruesve të saj. Fiks Fare, në bashkëpunim me inxhinierin Xhevair Ngjeqari, shkuan në disa nga këto pika të zeza që citohen në raportin e BE-së.

Në Luz të Kavajës, në rrugën Durrës-Rrogozhinë është një pikë e zezë. Hyrja në autostradë bëhet me një xhep që nuk duket nga përdoruesit e tjerë. Sipas Ngjeqarit “Rruga është ndërtuar gabim, duhet të ndërtohet nga e para, pasi këtu nuk kemi fushëpamje”.

Pak kilometra në drejtim të Lushnjes, në aksin Rrogozhinë- Lushnje inxhinieri tregon sërish një pikë ku rruga është jashtë parametrave. Makinat dalin nga rruga menjëherë duke sjellë mundësinë e aksidentit dhe e gjitha kjo, pasi rruga është ndërtuar pa parametra dhe jo mirë e studiuar.

Në Levan të Fierit, ku është improvizuar një rrethrrotullim, inxhinier Ngjeqari thotë se është shumë e rrezikshme madje një burim aksidenti i sigurtë. Rruga, megjithëse është riasfaltuar muajt e fundit, është bërë mbi projektin ekzistues duke e klasifikuar atë në një pikë tjetër të zezë.

Ndërkohë, një tabelë në atë vend thotë se ARRSH po përmirëson akset ekzistuese, por për këtë pikë nuk është ndërhyrë. Ngjeqari thekson se hyrja e makinave në aksin rrugor Fier Levan është shumë e rrezikshme, sidomos lëvizja e makinave hyrse dhe dalëse nga ky kryqëzim.

Si tjetër pikë e rrezikshme është ajo e segmentit të Lungomares, pasi trafikndarësi është shumë i ulët dhe lejon që makinat të kalojnë nga njëri krah në tjetrin. Pas nga aksidentet e shumta dhe si një nyje shumë problematike është rrethrrotullimi te 4 rrugët e Shijakut.

Aty janë 4 rrugë që nuk dihet kush ka sensin e kalimit e para. Madje ka dhe shume biznese që hyjnë e dalin nga rruga, duke e bërë edhe më të rrezikshme.

Ndërkohë, krahas këtyre pikave, në të gjithë vendin janë evidentuar edhe vende të rrezikshme për përdoruesit e rrugës. Një nga pikat e rrezikshme është në Cërrave të Pogradecit, në aksin Pogradec- Korçë, ku janë bërë disa aksidente me pasojë vdekjen. Një tjetër është në Nikël të Krujës, ku mjete dhe kalimtar janë aksidentuar me vdekje. Pikë e zezë është edhe në rrugën Lezhë -Shkodër. Por deri më tani, i vetmi studim që po tenton të mbyllë këto pika të zeza, është ai i Bashkimit Europian./Top Channel

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.