Rrugëtimi i Alvinit, shpëtimi nga ISIS dhe kthimi në Itali (Foto)

Pas pesë vitesh ferr në Siri, Alvin Berisha u kthye në shtëpi. Kampioni më në fund është mirë, në krahët e babait, motrave të tij, gjyshit dhe të njerëzve të zemrës. Alvin Berisha, 11-vjeçari shqiptar u kthye në historinë që përcolli lot gëzimi, pas lajmit të mrekullueshëm se më në fund, pas 5 vitesh, ai shpëtoi nga kampi në Siri.

Rrugëtimin e tij jashtë kampit burg, e ka përshkruar emisioni italian investigues “Le Iene”, i pari që bëri publik historinë e trishtë të Alvinit.

Tashmë misioni i “Le Iene”, u përmbush. Gazetari ka ndjekur rrugëtimin e Alvinit pasi është nxjerrë nga kampi burg nën pushtetin kurd, derisa ka mbërritur në Itali ku jetojnë prej vitesh babai dhe motrat e tij.

Kryqi i Kuq ndërkombëtar, në bashkëpunim me Gjysmë Hënën e Kuqe siriane arritën që pas shumë përpjekjesh ta nxjerrin Alvinin nga kampi, duke e çuar në një vend të sigurt. Në Damask, kujdestarja e kampit ka arritur t’i marrë disa përgjigje Alvinit, që vështirë të mos përlotin. Aty  i vogli tregon se si u lumturua kur një muaj më parë arriti të takonte babain e tij brenda kampit, se sa i mungon nëna dhe motrat. Thotë se ka miq me të cilët luan, dhe tregon se si e theu këmbën brenda atij kampi.

“Jam në kamp dhe vetëm pres të kalojë koha…Pres dhe vetëm pres. Jam i lumtur që takova babain në kamp por nuk kam mundur dot të flas më me të. Më mungon mami, edhe motrat. Kur mami më mori, dhe nuk e di përse, motrat ishin në shkollë”, tregon Alvini, teksa për herë të parë fytyra e tij ka nisur të qeshë.

Vetëm disa ditë më pas, ëndrra e tij u plotësua. Ai ishte i lirë. Në Damask Alvini është akomoduar në një hotel.

Ushqehet, lan duart në lavaman dhe shihet teksa e mbyll çezmën për të mos harxhuar ujin.

Vështirë të harrojë kaq shpejt rutinën ‘detyruese’ brenda kampit ferr, ku mbizotëron ligji i më të fortit.

Fle i qeshur…

Më tej, Alvini u shoqërua për në Bejrut, pranë ambasadës italiane, ku e priti edhe ambasadori italian si dhe autoritetet shqiptare, në prezencë edhe të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. Alvini ka ende shtetësi shqiptare, dhe ndërhyrja e autoriteteve shqiptare ishte e domosdoshme për pjesën e dokumentacioneve.

Përlotëse është mbërritja në Itali. Sapo zbret nga avioni, janë motrat e tij që e përqafojnë pa mundur të mbajnë dot lotët. Në krahët e tyre kanë vëllain e vogël që i ka munguar për shumë vite. Kampioni, realizon përqafimin e dytë me babain e tij, që këtë radhë, ndryshe nga takimi në kampin Al Hawal, është përgjithmonë!

Në shtëpinë e tij është edhe gazetari i Le Iene. në familjen Berisha në Itali, veç babait, Afrimit, dhe motrave, ka ardhur edhe gjyshi nga Shqipëria.

“Ja kampioni”, shprehet gazetari Luigi Pelezza i Le iene.

Je mirë tani? – e pyet Alvinin në shqip, teksa merr përgjigje po në shqip nga i vogli. “Po”.

Historia e Alvinit nis në vitin 2014 kur nëna e tij shqiptare e mori nga Italia duke e rrëmbyer dhe e çoi në Siri. Një muaj më parë, falë letrës që Alvini i shkoi babait, dërguar përmes Kryqit të Kuq, dhe bashkëpunimit të disa kurdëve që kontrollojnë kampin, Le Iene shkoi në kampin e grave të luftëtarëve të ISIS. Një vend i madh sa një qytet ku të gjesh një njeri është e vështirë, por pas orëve të tëra, stafi i emisionit dhe Afrim Berisha gjejnë “kampionin” – siç ai e thërret Alvinin.

Një takim ngjethës…por që zgjati vetëm një orë. Babai nuk e mori dot jashtë kampit burg. Një dhimbje e papërshkrueshme për babain që duhej të linte djalin në kampin, ferrin brenda të cilit e pa me sytë e tij. Nëna e Alvinit ishte ndarë nga jeta në një luftim ndërsa Alvini prej kohësh ishte i vetëm, dhe me këmbën e dëmtuar, të vrarë në kamp. Falë angazhimit të kryeministrit të Italisë Conte, që u përforcua edhe në një takim që pati me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama së fundi në shtetin fqinj, Alvini mundi që në një operacion të vështirë shpëtimi, të lë kampin dhe të rinisë jetën si të gjithë moshatarët  e tij: I lirë dhe krah familjes.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.