Mina me sahat është Franca, jo Bosnja

Nga Marcus Tanner, BIRN

Shprehja e vjetër angleze “një tenxhere që e quan cajnikun të zi” ( e përdorur për një person po aq fajtor sa njeriu të cilin ai vetë e akuzon),  të vjen në mënyrë të parezistueshme në mendje atëherë kur dëgjon sesi Presidenti Francez Emmanuel Macron e quan Bosnje-Hercegovinën një “minë me sahat”, përsa i përket rrezikut të islamistëve vendas dhe atyre që kthehen, siç bëri dhe në intervistën e fundit për The Economist. Nëse Bosnja është një “ minë e tillë”, – një pohim ky i diskutueshëm – Franca është një minë me sahat që ka shpërthyer disa herë deri tani me pasoja të tmerrshme, sic e kanë treguar sulmet terroriste në Paris, Nice e gjetkë.

Qëllimi i vërtetë i Macron me këtë vërejtje mund vetëm të merret me mend, megjithëse kjo u duk se ishte një përpjekje e ngathët për të shmangur zhurmën e vendimit të tij që solli bllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke iu referuar deri diku dhe një faji që vjen si pasojë e afërsisë; me fjalë të tjera, problemi nuk qëndron tek ata, por tek fqinji ngjitur. Komuniteti Islamik i Bosnjës u justifikua menjëherë duke thënë se Franca ka eksportuar shumë më tepër radikalë islamikë në Lindjen e Mesme sesa Bosnja. Siç e tha dhe zëdhënësi i tij Muhamed Jusic  dy ditë më parë, Bosnja ka çuar rreth 240 luftëtarë në zonat e luftës Siri / Irak (80 ose më shumë fëmijë zor se mund të llogariten si vullnetarë).

Franca nga ana tjetër, ka “prodhuar” një shifër shumë herë më të lartë.  Një studim i vitit 2018 nga Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit në Kings College të Londrës, i cituar nga BBC, e vendos numrin e përgjithshëm të luftëtarëve të huaj të ISIS-it në më pak se 41.500 nga 81 vende; gati 6,000 prej tyre, sic thuhej aty, vinin nga Europa Perëndimore.

Nga ky grup I fundit, gati 1.900 vetë apo rreth një e treta, ishin pikërisht nga Franca, më shumë se dyfishi i atyre nga Gjermania, e renditur e dyta, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, me mbi 800, dhe Belgjika, më shumë se 500. Me fjalë të tjera, Franca duket se ka dërguar mbi shtatë herë më shumë islamikë në zonën luftarake të Lindjes së Mesme sesa Bosnja, nga një komunitet mysliman prej rreth 5.7 milion vetësh, që është dhe ky gati tre herë më i madh se i bashkësisë myslimane në Bosnje. Nuk duhet t`i hyni matematikës për të parë se Franca ka në vetveteve një “minë me sahat” më të madhe se sa Bosnja.

Për më tepër, Islamikët e Bosnjës kanë qenë shumë më pak aktivë se sa homologët e tyre francezë në frontin e brendshëm. Një sulm i vitit 2010 mbi një stacion policie në Bugojno la një polic të vdekur, ndërsa një sulm ndaj ambasadës amerikane në Sarajevë vitin pasues- vepër e një personi të vetëm (nga Serbia) – la një roje plagosur. Kontrasti me Francën – 138 të vrarë në sulmin e Bataclanit në 2015 vetëm në Paris – vështirë të mos vihet re.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.