Mbi librin e Amarda Ekmekçiut, “Korali blu”

Armela HYSI

Në fizikën kuantike gjithkush e di se asgjë nuk mund të ndodh në se nuk ekziston një vëzhgues, “the observer”. Kjo dukuri që problematizonte aq shumë vetë Ajnshtajnin, është një realitet i konceptuar ndryshe edhe për artin dhe një fakt i pamohueshëm sa për zhvillimin e tij aq edhe për njohjen në masë të vetë krijuesit e krijimtarisë së tij; por për individualitetin e tij, kjo nuk hynë në punë. Artisti, poeti, nuk ndjen nevojën të vëzhgohet që të evolojë. Për artistin e lindur, dallimi – edhe nëse vjen një ditë, si pjesë e suksesit dhe e përvetësimit nga shoqëria, e artit të tij, kjo është e mëpasshme. Është një rrjedhojë, jo shkaku. Përveçësia e artistit, është tek alkimia që stimulon me vetë qenien e tij, mes ndikimit të përvojës në prorjen nga e vërteta dhe magjia. Është të vëzhgojë në heshtje e vetmi dhe të përgjojë intimitetin e ndjenjës, trishtimit, gëzimit, mallëngjimit, përbërjes së çdo sensi, t’i filtrojë dhe t’i ri sjellë këto, tashmë të kulluara e të pasuruar me tjetër dinamizëm të ri e jetë – krejt i vetëm përpara botës… Këto qenë ndjenjat e para që më solli libri i ri i Amarda Ekmekçiut, me ta mbaruar, ose më saktë shijimi që vjen tek preh mendjen pasi ke lexuar diçka që të ka tërhequr deri në fund.

Amardën personalisht e njoh pak deri aspak, (megjithëse e përbashkëta argëtuese e njerëzve është se pothuajse të gjithë kujtojmë se njihemi: madje në sukses të gjithë bëhemi miq dhe në heshtje njihemi mirë nga e kundërta, logjikojmë shkëlqyeshëm se sa e lehtë është jeta e tjetrit, por që “idiotësia” e tij dhe vetëm, e bënë të vështirë –“e jona” është “një punë” ndryshe padyshim!), por ndjej se është shumë e sinqertë në poezinë e saj. I kthehet fëmijërisë shpesh aty, si në kujtime, si në ndjenjë, ashtu edhe kur e takon në sytë e vazhdimësisë së saj të bukur, të fëmijëve biologjik a virtual, librave, ose të bukurisë së natyrës që e gërsheton vazhdimisht e me ndërgjegje në vargun e saj. E ndjej se është një njeri i bukur dhe kjo i vjen aq natyrshëm, por për këtë nuk duket të jetë shumë e ndërgjegjshme. As për bukurinë e jashtme, ndërgjegjësim që përherë vjen jo aq nga pasqyra, sesa nga bindja e brendshme dhe ajo, jo se është naive, por është modeste deri në thelb. (Dhe duke qenë se është dhe njohëse e mirëfilltë e mirësisë në çdo gjendje e ekzistencë, krijon natyrshëm harmoni brilante qashtërsie, prandaj duke i ngritur një kult kësaj, i mendon të gjitha njësoj të bukura, pa e ndjerë se sa e veçantë është ajo vetë.) As për botën e saj ideale që e derdh pareshtur për të zbukuruar atë të vërtetën, dhe pse jo gjithmonë i kuptohet kjo “sakrificë” shpirtërore.

Amarda nuk pranon asnjë zhgënjimi të mos i hedhë dritë të vërtetë personale, edhe kur i kushton ndjenjë të shumëfishtë, bardhësi nga e vetja virgjëri, prafullima prej thërrmimit të të vetit shpirt xixëllues, që djeg për pishtar, të shohin të gjithë. Në poezi këtë e bënë me frymëzim, me pasion, gati me vetëmohim, sikur ka mbajtur një cep të kësaj bote të përgjaktë për të na ftuar vetëm të kalojmë bukur, të kujtohemi, të trishtohemi vetëm për të bërë art. Të trishtohemi siç trishtohemi nostalgueshëm kur shohim qiellin me yje, jo dëshpërim, jo sepse lëngojmë, por sepse shërohemi, çlirohemi, zbukurohemi. Duke marrë gjasa madje nga biografia e saj letrare, duhet thënë se ka ruajtur të njëjtën freski të adoleshencës në varg dhe filozofimi që i ka shtuar, sido që me të njëjtën gjuhë, me më tepër fjalë-bashkime ka ngjyrime drite dhe shprese.

Në çdo poezi gjen prezent ndjenjën dhe vargje të një poeme që ajo vazhdon të mëkojë e njëkohësisht të mëkohet prej saj, nga faqja në faqe, nga titulli, në titull e vargje që të ngrohin.

“Kokë lëshuar mbi pragun e ditës/ pa limite e skaje qiellore/ dëshirat hedh mbi altarin fjalës/ dhe endem aty…”

“Lehonë mbi gjoks, derdha vajzërinë!” thotë poetja tek poezia që hap librin “KORALI BLU” që është një dritësimin i mëmësisë, që femrat shqiptare shpesh e njohin në moshë mjaft të re, por me koshiencën që bashkon kjo lumturi fondamentale, shpirtin e realitetit me poezinë. “të bardha si drita e yllit gëzimndezur” – poezia “FËMIJËRIA” ku gjithashtu vazhdon: “Hapi i gjelbërt mbi koren e tij, /thërrime prej tokës dytësuar/ brenda meje” njeriu prej dheu, prej toke, ama dhe prej fryme që bën poeten pas përditësimit në mënyrën e vet të kësaj epërsie konkrete, të vazhdoj me vargjet e fundit: “Pa zhbërë kësisoj këto mendime/ harruar kutizave sërish/ e sërish rikthehet ngadalë/ në kukulla sykaltra prej agimit…” siç një zhgënjim, a diç’ e mbetur pa thënë, apo pa kryer nuk mund të mos krijoj një thirrje, për fëmijërinë që ta mbështesë me energjinë e saj poeten dhe t’i jap fuqi të vazhdojë të sotmen: “Silueta shiu grijëzuar,/ si qiej vetmie /thurin ethshëm atë fluturim /patash të egra, /duke gërmëzuar ajrin në copëza të bardha resh/ shtegtimin drejt vegjëlisë.” …nga poezia me titullin grishës: “UDHËTIM V…”; temë e energji që prek në ton pakëz më dramatik edhe në poezinë “PËRQAFIM LARGËSISH”.

Me instinktin e brendshëm të njeriut, dhe me nuhatjen e letrarit, poetja e di që koha nuk ka mëshirë, për askënd ndaj shpirti epoet stinëve dhe “rrëkëllim vitesh në asfalt/, sokakut pas mesnate që uron/ vitet që ndezin qiejt…” nga poezia “VITET QË NDEZIN QIEJT” i kujton Amardës se është një tortë e madhe plot qirinj atje në qiell, që duhet shijuar, jo thjesht konsumuar prandaj ajo përgjigjet dy faqe më pas, tek poezia “Çast”: “Jo, mos fol! /Me puthjen praruar, /yjet ndezën qiellin këtë natë.”. Në të gjithë pjesën poetike të librit autorja Ekmekçiu mban me fanatizëm atë frymë që tradicionalisht mbajnë poetët e rinj me temat dhe frazat që tregojnë talent dhe perceptimin e poezisë që kalon fluturimthi pranë për t’u rrokur si një yllth i zjarrtë, i vërtetë dhe i paprekshëm njëkohësisht, një makth dhe një ëndërr …njëkohësisht… por dhe guxon e shpesh vë pikënisje të vetat, të reja, të niveleve që pretendojmë se ka prekur që tani: “Çmendurisht dashuritë/ prej kohërave tjetërsuar,/ buzë-etur, plasaritur gjer në kockë./ Nga Qellori/ ajo pikë takimi qe zhbërë në makthe,/ që pritja e gjatë i theu pa zhurmë/ pipëtimat e erës/ angullimat e një shpirti që të pret.” (“PENG I KOHËS QË NUK KTHEHESH PAS”); “dashurive të brishta,/ që derdhën pjalm ndër duar” (“NGJIZJE AGIMESH”) “..Ky shekull i pa jetuar, rrëfenjash/ i hirtë ky qiell meraku/ qyteti ku fsheh brengat e mallit…/.. pas hijes që thur në dyzim,/ figura e trajta të formëzuara/ dendur, pas emrit Njeri.” (“HIJËZA”).

Si poete Ekmekçiu përdor pak shenja pikësimi, por ritmi i poezive të saj e bënë leximin të rrjedhshëm dhe të këndshëm, vargjet përgjithësisht janë të thyer balancueshëm. Sintaksa klasike e kësaj poezie, mbështetet kryesisht tek përshkrimi i ndjenjave dhe gjendjes shpirtërore, në një paralelizëm aktiv me ambientin dhe natyrën, për të ndërthurur kontekstin dhe nocionet. Lë hapësirë dhe formon gjallëri jetike në varg që të bënë lehtë ta thithësh. Përdor titujt si moto të vargjeve që do të përtheksojë, ose dhe si përkushtim. Tematika është e larmishme, si në poezi ashtu edhe në prozë, me tendencën drejt individualitetit, që e bënë intime por dhe një rrëfimëtare transparente, që të lë të depërtosh me bujari, shumë thellë brenda saj…

Bota rritet si malli ynë bëhet det blu brenda shpresës…

Në prozë Amarda është më e drejtpërdrejtë. Më e çliruar, sikur poezinë e ruan për të zbukuruar, kurse prozën për të operuar. Poezinë për të ngjyrosur, prozën për të larguar çdo falsifitet, çdo maskë, çdo ngjitje pa dashje në sipërfaqen e bardhësisë së saj.

Më duhet të them se krijimi i fjalisë së saj, konceptimi, mënyra se si sjellë ndjenjën, trajektorja që i jep mendimit dhe tërë subjektit elegant që ka përzgjedhur për paraqitje, përcakton gjasa për një vazhdim tepër të pjekur të sajin në letërsi. Për momentin Amarda të kujton me çdo germë se sa e bukur është të dashurosh, të dashurohesh të vuash në vetminë e ëndrrës dhe pritjes për idealen e gjallnimit. Të zhvishesh nga tokësorja për të fluturuar në hyjnoren.

Në këtë vëllim, zhvillimi i subjektit sublim të bën të jetosh bashkë me autoren, sepse edhe pse substanca kimike që shohim të trajtëzohet në këtë krijimtari është heterogjene, ajo simbolizon në radhë të parë dhe me qëllimin kryesor të jetë e gjitha, një përcjellës i shkëlqyer i densitetit të ndjenjës me gjithë parametrat që paraqitet ajo në një përshtatje fizike të trupit. Nuk kërkon kohë ta përtypësh, ta copëtosh për ta bërë më të lehtë-kuptueshme dhe ky shijim gati viziv i fjalës, krijon pasazhe të këndshme kohore sa herë e përzgjedh për lexim.

Në prozë krijuesja e re Amarda Ekmekçiu ka përzgjedhur të flasë me fjali të shkurtra me kumt poetik. Është pasqyruese e shumë planeve njëherësh për të sjell figuracion në të gjithë tekstin. Është shpesh e sigurt në atë që thotë sepse mbart sigurinë e dashurisë së saj ndaj nuk trembet të bëhet kudo që nga konstative, në përcaktuese e përgjithësisë së shoqërisë deri didaktike. Jo se nuk vet-pyetet, por e bënë këtë duke dëftuar narrativën e parapërcaktuar. I pëlqen të vërë diku-diku, fjalë me germa kapitale, për të nënvijëzuar rëndësinë; krijon ambientin përreth me të njëjtat grimca që krijon atë përbrenda. Edhe pse me ende mjaft mundësi për reduktime dhe krasitje, nuk të lodh, siç të pëlqen egërsia e bimëve të lëna të lirshme horizontit.

Proza e autores përmban reflekse poetike, sa ç’dëfton dhe ngjyrime  me brumë të mbrojtur me mjeshtëri, që të qëndrojë edhe në një prozë të gjatë me konstrukt më stabël dhe trajtim më impenjues. Është dukshëm shoqëria e përhershme e Amardës, dhe ashtu si dhe në poezi, ndonëse e ndarë në skicime të një-fryme, (diç më shumë a më pak se një a dy faqe, përkatësisht) ajo është një vazhdim i gjatë i një odiseje ndiesore që ri trajtohet në çdo paragraf duke ushqyer kohën reciprokisht – në të tre kah-bjerrjet e saj letrare. Gjatë leximit nuk të mbetet veçse të njësohesh me këtë rrjedhë kohore dhe të pozicionohesh analogjikisht, në lidhje me ç’predispozicion ke për dashurinë e vërtetë, si njeri, si shpirt në evolim, a si mbartës përvojash personale; por nuk mund gjithsesi ta mohosh, pasi faqe më faqe trishtimi i vuajtjes e përpos dhe gëzimi i saj do të të sensibilizojë padiskutim këdo.

Këto ishin disa mendime të shpejta, të cunguara do të thosha prej obligimit për të qenë konçize, sepse sido që s’doja të zgjatesha Amarda të jepet aq shumë në krijimtarinë e saj, sa të bën ta komentosh e ta komentosh pareshtur. Por do doja të mbyll me një varg të sajin në vend të përshëndetjes…

Na bashkon gjithmonë pika e horizontit

Ai, është vendi i takimit…

Sado e paarritshme duket për të tjerët.

(Amarda Ekmekçiu)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.