Alvin Berisha përqafon babain, ministri Lleshaj tregon detaje të operacionit të shpëtimit (FOTO)

Ministri shqiptar Sandër Lleshaj ndodhet në Itali dhe prej andej përmes një konference shtypi dha detaje për lirimin nga kampi sirian i Al-Hol të fëmijës Alvin Berisha.

Dy polici janë angazhuar në shpëtimin e tij, pa përjashtuar edhe ndërhyrjet diplomatike mes dy vendeve – tha Lleshaj. Sipas ministrit shqiptar, gjithçka është bërë e mundur pas takimit mes kryeministrit Rama dhe atij italian Conte.

Të dy shefat e qeverisë kanë përcaktuar detaje të karakterit diplomatik për lirimin e Alvinit. Por ministri kishte edhe një kritikë, lidhur me përdorimin politik të rastit.

Njësitë e antiterrorit të Italisë dhe Shqipërisë u angazhuan përmes një operacioni që vështirë të përshkruhet – tha ministri Lleshaj, ndërsa shtoi se rasti i Alvinit duhet të shërbejë si një rast për të cilin duhet vepruar edhe me të tjerë, duke na treguar se terrorizmi dhe radikalizmi janë një rrezik serioz.

Mirënjohje për ata që u përfshinë në operacion. Ka pasur një aspekt të rëndësishëm policor ku janë angazhuar policitë e dy vendeve dhe së fundmi, por jo nga rëndësia ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e kuqe. Rasti ka marrë vëmendje të madhe dhe po e përdorim politikisht për të dhënë mesazhe të rëndësishme.

Rasti i Alvinit tregon se terrorizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë. Raste si ky duhet të mos përsëriten më , ky është qëllimi. Ishte një shembull i shëmtuar dhune dhe radikalizmi“, tha Lleshaj.

Fjala e plotë e ministrit Lleshaj në Romë:Në Shqipëri dëgjohet dhe flitet aq shumë italisht, sa që mendoj që ju meritoni sot të dëgjoni diçka shqip.

Së pari, më lejoni të falënderoj të gjithë të pranishmit, të falënderoj gjeneral Spinën për mundësinë e këtij takimi. Takohem për herë të dytë me gjeneral Spina në një situatë pozitive si kjo e sotmja.

Sot është një ditë e rëndësishme, e cila fillon me Alvin Berishën, i cili vërtet ka arritur që t’i largohet ferrit ku ka jetuar, ose ku ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij.
Falë angazhimit të të gjithë këtyre aktorëve ai është rikthyer në botën që i përket. Ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë disa përfshirë disa aspekte të rëndësishme.

Së pari, kemi një aspekt politik, të cilin unë duhet ta përmend se askush tjetër me sa shoh këtu, nuk mund ta përmendë. Operacioni ka marrë vëmendjen e të dy kryeministrave, kryeministrit Conte dhe kryeministrit Rama dhe është ndjekur nga afër nga të dy ata pas takimit që kanë zhvilluar në Romë. Pastaj ka pasur një dimension shumë të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë ambasadat tona, ambasada e Shqipërisë…. konsullata e Shqipërisë në Bejrut .. ambasada e Italisë në Bejrut.

Ka pasur një aspekt shumë të rëndësishëm policor ku janë angazhuar në një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe të shkëlqyer policitë e të dy vendeve tona. Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, ka qenë aspekti humanitar ku janë angazhuar Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe. Unë nuk dua të hyj në detajet e operacionit për arsye se u përmendën nga gjeneral Spina dhe u përmendën edhe nga kolegët e tjerë të pranishëm në tryezë.

Unë dua vetëm, dhe për këtë punë kam ardhur sot në Romë, vetëm për të shprehur mirënjohjen dhe për të shprehur falënderimet e qeverisë shqiptare në adresë të të gjithë autoriteteve dhe aktorëve që u përfshinë në këtë operacion.

Së pari, për autoritet policore të Shqipërisë dhe të Italisë, për autoritetet e Kryqit të Kuq, pra për Presidentin e Kryqit të Kuq italian dhe ndërkombëtar dhe për Presidentin e Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë, respektivisht zotin Rocca dhe zotin Hboubati.

Po ashtu dua të përshëndes autoritetet diplomatike që u përfshinë në këtë operacion. Por dua të përmend një aspekt të veçantë: – ishin autoritetet libaneze të cilat mbështetën me gjithë kapacitetet e tyre realizimin e operacionit në terren.

Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe automatikisht shtrohet pyetja: “Nëse ne po e përdorim politikisht këtë apo jo?” Dhe unë po them – Po! Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme, të cilat duhet të na vlejnë të gjithëve ne për pas këtij operacioni.

Alvin Berisha është një rast i trishtuar, i cili duhet të na tregojë të gjithëve që terrorizmi, radikalizmi, dhuna, ekstremizmi nuk janë opsione, të cilat mund të jetojnë në shoqërinë tonë. Dhe gjithë sfida e politikës, e shoqërisë, e autoriteteve është që raste si ky i Alvin Berishës të mos përsëriten më në shoqëritë tona dhe terrorizmi, ekstremizmi, radikalizmi, çdo formë e dhunës, të mos gjejë asnjë hapësirë në shoqërinë tonë europiane.

Edhe njëherë faleminderit Gjeneral Spina, faleminderit President Roka, faleminderit President Hboubati për mbështetjen dhe angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm, që mundësuat dhe njëherë që sot një djalë i ri shqiptar dhe italian, të kthehet i lirë për të vazhduar jetën e tij në liri.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.