Lindje-Perëndim: A është vdekja e Al Baghdadit fundi i ISIS-it? (VIDEO)

Që kur u shfaq si një degëzim i pabindur i Al Kaedës, Shteti Islamik e la shpejt në hije organizatën që mbante deri atëherë hegjemoninë e terrorit, të ardhur në zbehje që prej vrasjes së udhëheqësit të saj, Osama Bin Laden. Me një fushatë gjaksore, duke mbjellë vdekje e tmerr pergjatë rrugës së tij, Isis-i mori shpejt nën kontroll zona të tëra në Irak e Siri, ngriti kudo ngadhënjimtar flamurin e vet të zi, e shpalli krijimin e kalifatit nën thundrën e një regjimi të dhunshëm islamik. Aq brutale ishin metodat e ketij grupi, sa u hodh poshtë edhe nga vetë Al Qaeda.

E njohur ndryshe edhe si ISIL- shteti islamik në Irak dhe Levant, apo edhe me akronimin arab Daesh, organizata përbëhej kryesisht nga militantë sunitë irakianë e sirianë, por ai arriti të tërheqë gjithashtu me mijëra luftëtarë nga bota myslimane dhe Europa. Me taktika që përfshinin prerjen e kokave e skllavërimin, nuk ishte vështirë që ta tërhiqte shumë shpejt vëmendjen, fale edhe faktit që gjurmën e vet  gjakatare e la edhe në vendet perëndimore. Njeriu që e themeloi ishte një irakian, Abu Bkr al Baghdadi.



“I bëjmë thirrje çdo myslimani, në cdo vend të botës të kryejë hixhrah, emigrim drejt Shtetit Islamik ose të luftojë në tokat e tij, kudo ato qofshin. Nuk ka asnjë shfajësim për cdo mysliman të aftë fizikisht që të mos kryejë hixhranë në Shtetin Islamik; apo edhe të rrokë armën aty ku është; për këtë nuk ka justifikim”, deklaronte Abu Bakr al-Baghdadi, lider i Shtetit Islamik

Sa më shumë Al Qaeda e humbiste rolin e saj ideologjik mes ekstremistëve, aq më shumë ngrihej Isis-i.

“Të dy grupet rivale terroriste luftojnë për ndikim në lëvizjen botërore xhihadiste. Bëhet fjalë për para, luftëtarë dhe autoritet në islamizmin militant. Al-Zavahiri u dëshmua një udhëheqës i paefektshëm i Al-Kaedës në përpjekjen e tij për të ndalur stuhinë e Isis-it”, thotë Andreas Gorzewski

Emrii lëvizjes që synonte themelimin e një shteti fondamentalist sipas ligjit islamik, qarkullonte që prej 2013-tës, edhe pse në fakt, ndjekësit e saj ishin aktivë prej kohësh. Një vit më vonë, Isis-i publikoi një manifest ku pretendonte se gjurmohej linja e gjakut të al Baghdadit deri tek profeti Muhamed. Rusia besoi se e kishte vrarë në një sulm ajror majin e 2017-tës, por kjo asokohe nuk u konfirmua dot, dhe në fund, rezultoi e pavërtetë. Kush ishte ky njeri? I lindur në një familjet të devotshme myslimane sunite të një shtrese të mesme në Irak në vitin 1971, Ibrahim Awwad Ibrahim al-Badri, që më vonë do të merrte emrin e luftës, al-Baghdadi, ishte sipas dëshmive të atyre që e kanë njohur, një fëmijë fare I zakonshëm e mjaft I ndrojtur. Ai nuk shkëlqeu kurrë në mësime, megjithatë kishte një talent të vërtetë në recitimin e vargjeve të Kuranit. Edhe më tej në shkollë, studioi stilin dhe teknikat e këtij recimi, të cilin arriti ta zotëronte mjaft mirë. Shkollës së radikalizimit do t`i hynte në një mënyrë fare të papritur , të cilën revista Time e përshkruan praktikisht si “ padashje“, të nxitur nga vetë amerikanët.

Shkurtin e 2004-tës, pas pushtimit të Irakut, ai ishte duke vizituar një mik në Fallujah kur oficerët e inteligjencës së Ushtrisë amerikane bastisën godinën e i arrestuan të dy. Al-Baghdadi u dërgua në burgun famëkeq Camp Bucca, i cili u shndërrua padashur në një inkubator të xhihadizmit sunit, sipas vetë ish zyrtarëve të tij. Atje, al Baghdadi u kthye shpejt në një ndërlidhës të aftë, u afrua me fraksionet radikale e krijoi reputacionin e një lideri fetar mbështetur në dijet e tij mbi Islamin.

Duke mos u konsideruar një person me rrezikshmëri të lartë, al Bghdadi u la I lirë në fund  të atij viti, dhe u kthye në kryeqytetin irakian, ku sipas Time ndoqi doktoraturën e u bashkua me një seri grupesh xhihadiste të ripërtërira nga vdekja e Sadam Huseinit dhe pushtimi amerikan. Në 2006-tën, do ta gjente përfundimisht vendin e tij tek Al Qaeda e drejtuar nga Zarqavi. Kualifikimet fetare dhe dogmatizmi i ngurtë e ndihmuan të ngrihej shpejt në radhët e organizatës së terrorit, dhe majin e vitit 2010, pasi Shtetet e Bashkuara vranë dy njerëzit e vetëm që qëndronin më lart se ai, Al Baghdadi u shfaq si emir.

Bashkë me ambicjet territoriale në Lindjen e Mesme, al Baghdadi krijoi dhe një vizion apokaliptik të një beteje finale mes forcave të islamit radikal dhe perëndimit. Në një lutje të mbajtur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në 2014-tën, ai e shpalli skllavërinë si kushtin njerëzor universal, çka i bënte jobesimtarët prona të ligjshme të  myslimanëve . Po kështu tha se ora e vdekjes së cdo burri apo gruaje është e parashkruar, duke nënkuptuar kësisoj se vrasjet duhet të jenë vullnet i Allahut. Ky mësim i hapi rrugë përcjelljes së një mesazhi disa muaj më vonë nga zëdhënësi i vet, ku nxitej dhuna pa dallim.

“Nëse mund të vrisni një amerikan apo europian jo besimtar, vriteni, qoftë ai civil apo ushtarak” 

Dhe ashtu ndodhi: Isis-i e mbajti botën me frymën pezull, përmes videove me ekzekutime makabre të gazetarëve, veprimtarëve humaniste dhe luftëtarëve kundërshtarë.

Ky ishte njeriu të cilin Shtetet e Bashkuara e gjurmuan falë informacioneve të nxjerra nga vetë njëra prej bashkëshorteve të tij dhe një nip; njeriu të cilin e kishin identifikuar më vonë me një mënyrë krejt të pazakontë: përmes testeve të ADN-së të kryera mbi një palë mbathje që një i infiltruar i forcave kurde kish arritur t`i merrte, e ai të cilin nuk ngurruan ta rrethojnë në mes të natës, duke mos i lënë rrugë shpëtimi. Forcat amerikane e kishin studiuar mirë planimetrinë e godinës ku ndodhej kreu i shtetit islamik tashmë të mposhtur e të tërhequr nga zonat e pushtuara, por jo krejtësisht të zhdukur. Al Baghdadi vrapoi në një tunel bashkë me dy prej djemve të tij; dalje tjeter atje nuk kishte, dhe me amerikanët që e prisnin në hyrje, zgjodhi të shpërthente brezin me eksploziv që mbante në trup, duke vrarë edhe fëmijët.

“Kjo ishte një fundjavë e mrekullueshme për vendin tonë. Kapëm një njeri, të cilin duhet ta kishim kapur shumë kohë më pare”, deklaroi Trump.

Trumpi shpjegoi se Baghdadi po ndiqej nga qentë kur hodhi veten në erë në tunelin poshtë kompleksit, e ashtu si qen, vdiq edhe vetë.

 “Ky njeri bëri dëmë të tmerrshme. Por ishte një koordinim i jashtëzakonshëm i të dhënave të inteligjencës me fuqinë ushtarake e me njerëzit, ai që e shndërroi këtë në një ditë të madhe”, tha presidenti amerikan.

Banorëve të zonës, lajmi në fillim u erdhi i papritur.

 “Kjo është zonë malore, këtu vetëm civilë ka. Nuk gjen asnjë ndërtesë qeveritare këtej rrotull. Pronarin e kësaj shtëpie e njoh prej rreth dy vitesh; është tregtar, merret me dele”, deklaroi Ahmed Mohammad, banor Barisha

Nga Malet e Sinxharit në veri të Irakut, e deri në San Bernardino të Kalifornisë, nga Rakaja në Londër e Stamboll, testamenti I së keqes që mbolli Abu Bakr al-Baghdadi është I qartë; për këtë arsye festimet për vdekjen e kreut të Isis-it I kapërcyen kontinentet, etnitë e fenë. Megjithatë, për viktimat e shtetit islamik në Lindjen e Mesme e përtej saj, trauma që mbollën vite të tëra terrori nuk u zhduk me rënien e kalifatit islamik, e nuk do të venitet as me vdekjen e Baghdadit.

“U gëzova shumë kur im vëlla ma dha lajmin. Por Isis-I ka ende 22 të afërm të mi, përfshirë tre vëllezër e një motër. Asgjë nuk ndryshon vërtet për mua derisa ata të kthehen shëndoshë e mire”, thote Saad Salmo, vajzë Yazidi ish peng i isis-it

“Ky krimineli nuk la shtëpi pa sulmuar këtu; ka vrarë e masakruar kushedi sa njerëz. Mua më dogjën makinën, më dogjën shtëpinë, prej shtetit islamik pësova infarkt. Falë Zotit, që ushtria na shpëtoi prej tij. Por e kam të vështirë ta besoj se kemi shpëtuar vërtet përfundimisht nga Daesh-I”, deklaron Khaled Walid , banor i Mosulit.

“Vrasja e Baghdadit nuk ka për ta ndryshuar kushedi se cfarë rrugëtimin e terrorizmit, sepse ai ka arsye objektive, e për sa kohë ato të ekzistojnë, thjesht do të ndryshohen emrat. Në fillim ishte Al Kaeda, tani është Daeshi apo Isis-I, në të ardhmen mund të ketë emra të tjerë. Tani që misionit të Al Baghdadit I kishte ardhur fundi, e hoqën qafe pa kosto”, deklaron Bassam Moadal, banor i fshatit  Kill

Duket se në këtë vend, ka hedhur thellë rrënjë bindja se e keqja buron nga vetë Bashar Al Asadi.

Për mendimin tim, vrasja e Al-Baghdadit nuk ka për të ndryshuar asgjë, sepse loja në Siri bazohet tek ndarja e roleve. Roli I tij si figurë qendrore përfundoi, dhe e vranë ashtu si e vranë. Terrorizmi nuk mishërohet tek Al Baghdadi, ai vazhdon edhe me praninë e vetë familjes së Asadit. Kjo familje është këtu, e ka vrarë miliona qytetare sirianë, por asnjë masë nuk u mor kundër saj. Prandaj terrorizmi nuk do të crrënjoset nga Siria”, deklaron Abed Al-Kader Abdul Karim.

“Kjo vrasje nuk ndryshon gjë, jo. Terroristët e vërtetë këtu janë Irani dhe regjimi. Bashar al Assadi e krijoi al Baghdadin dhe të tjerët”, deklaron Musab Taleb

AFP arriti të hynte në një burg në sirinë veriore, ku forcat kurde mbajne nën kontroll ish xhihadiste vendas e të huaj, e solli dëshmi të njerëzve që tregonin pendim.

“Jam nga Belgjika. I lindur në Belgjikë. Erdha I vetëm në 2013-tën në provincën e Idlibit. Iu bashkova Isis-it, shkova ne Alepo e pastaj në Deir al Zoor, ku u plagosa. Organet I kam jashtë barkut. Kam dhe një plagë në kurriz”, deklaron Abdallah Naaman, i burgosur nga Belgjika

“Dua vetëm të dal nga burgu. Të kthehem në shtëpi, tek familja ime”, thotë Aseel Mathan, i burgosur britanik

Por nga sa tregojnë rojet atje, shumë prej këtyre të burgosurve nuk janë aq të parrezikshëm sa duken.

“Ka pasur disa tentative për arratisje, por ne ndërhymë e i ndaluam. Një herë, të burgosurit u hoqën sikur njëri prej tyre ishte i sëmurë, duke e ditur shumë mirë se pacientët ne I cojmë në spital. Me tu hapur dera, ata ishin në gadishmëri dhe sulmuan; dolën të merrnin peng njërën nga rojet në mënyrë që të negocjonim me ta”, thotë Jean Bolat, luftëtar

Një ekip i CNN-it gjithashtu, që ka arritur dhe ai të shohë nga afër gjendjen e militantëve të burgosur, thotë se një pjesë e madhe e tyre i mbeten besnike organizatës së terrorit dhe shfaqen sfidues ndaj perendimit. Vdekja e Abu Bakr al-Baghdadit, sado e mirëpritur që të jetë, nuk përbën ndonjë goditje katastrofike për lidershipin e Isis-it, thotë analisti ushtarak, ish general lejtnant Michael Nagata.

“Isis-I nuk është një organizatë e gjymtuar sepse u vra Al Baghdadi. Thellësia dhe shtrirja e lidershipit të tij, për mendimin tim, janë të paprecedent për një grup terrori”, thotë Michael Nagata.

Që në ditët e para të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Isis-it, forcat speciale dhe agjensitë e inteligjencës i kanë gjurmuar e vrarë krerët e grupit një e nga një. E megjithatë, ata sërish janë rigrupuar. Shtetit islamik iu deshën vetëm disa ditë për ta zgjedhur udhëheqësin e tij të ri, Abu Ibrahim al-Hashemi.

“Eleminimi i liderit të tij ishte një gjë e mirë, por mos harroni se ky nuk është thjesht një grup terrorist, ai është edhe ideologji”, deklaron Aki Peritz, ish analist i CIA-s.

Pavarësisht goditjeve të fuqishme që grupi ka marrë, duke u shpartalluar, farat e rebelimit vazhdojnë të jenë aty. Sipas një raporti të fundit të departamentit amerikan të mbrojtjes, janë gati 14 deri në 18 mijë anëtarë të Isis-it që I kishin premtuar besnikëri al Baghdadit. Më shumë se 11 mijë luftëtarë e simpatizantë të grupit mbahen nëpër kampe, e vetëm në al Hol janë 70 mijë vetë që përfshijnë plot familjarë të xhihafistëve të shtetit islamik. Nevojitet presion i vazhdueshëm, thuhej në një raport të ushtrisë amerikanë në muajin shkurt; në të kundërt, grupi terrorist mund të rishfaqet në Siri brenda  e shumta 12 muajsh. Për cdo rast nuk përjashtohet mundësia që një efekt të rëndësishëm, kjo vdekja ta ketë pasur, dhe ndjekësit e Shtetit islamik, nga sulmet madhore të kufizohen në goditje të goditje të vogla brenda Irakut e Sirisë. Në fund të fundit,  vrasja pjesërisht simbolike e themeluesit të Isis-it, bëri që të heshte zëri i brendshëm ndoshta më frymëzues i grupit terrorist.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.