Abuzimi me fondet publike/ Aeroporti i Kukësit është me koncesion, por “ha” edhe 2 miliardë lekë tender

Para pak muajsh, qeveria dha me koncesion aeroportin e Kukësit, i cili ishte lënë në mëshirë të fatit për vite me radhë.  Administrimi i aeroportit iu la në dorë privatit për 35 vjet, ku gjatë kësaj kohe firmat fituese duhet të investonin të paktën 8 milionë euro për ta bërë të aksesueshëm.

Por, sipas dokumenteve që disponon Gazeta SHQIP, disa muaj pas dhënies së këtij koncesioni, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka akorduar rreth 2 miliardë lekë të reja vetëm për shërbime inxhinierie të pavarura.

Ky është një skandal financiar i paprecedentë, pasi shteti ka dhënë me koncesion këtë aset publik dhe më pas shpenzon sërish para, për një aeroport që do të administrohet nga privati.

Në dokumente thuhet se ministria e Infrastrukturës ka hapur tenderin me objekt shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e Kontratës Koncesionare. Fondi për këtë tender është plot 175.439.492 lekë të reja (bashkë me TVSH, 2 miliardë të vjetra). Kjo shumë do të paguhet brenda 24 muajve nga qeveria. Qeveria, në dokumente thotë se punimet për Aeroportin e Kukësit kanë filluar më 10 maj 2003 dhe kanë përfunduar më 31 tetor 2005. Në vitin 2006 janë kryer punimet për instalimin e pajisjeve të navigacionit, si dhe është bërë kalibrimi dhe pranimi i tyre.

 “I gjithë financimi i Aeroportit është një dhuratë e Emirateve te Bashkuara Arabe, me përjashtim të shpenzimeve për shpronësimin e pronarëve të tokave të zëna nga aeroporti, të cilat u përballuan nga Qeveria Shqiptare. Shuma e përgjithshme e investimit, ndërtimit dhe supervizionit, ka qenë afër 20 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet e navigacionit, të cilat nuk kanë qenë në marrëveshjen fillestare, por që më pas u financuan edhe ato nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara” – thuhet në dokumente.

Mësohet se në qershor të vitit 2006, aeroporti i Kukësit i kaloi në administrim Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil dhe ky administrim do të bëhet deri në vënien në punë të aeroportit, duke përballuar shpenzimet administrative të tij nga fondet e veta.

“Ky aeroport është akoma i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrit të Transportit për certifikimin dhe regjistrimin e Aerodromeve dhe ka nevoje për investime shtesë” – thotë Ministria e Energjisë dhe Transportit, e drejtuar nga Belinda Balluku.

Sipas Ballukut, me këto lekë, mbikëqyrësi i punimeve të zbatimit të punimeve për objektin ka për qëllim të kontrolloje dhe të ndjeke mbarëvajtjen e gjithë procesit të zbatimit të punimeve në përputhje me projektin, kushtet teknike të zbatimit, specifikimet teknike si dhe destinacionin e objektit duke pasur parasysh afatin kohor të përcaktuar për kryerjen e punimeve të këtij objekti dhe anën ekonomike të këtij objekti.

Një konsorcium mes dy shoqërive shqiptare, “Global Technical Mechanichs” dhe “Bami sh.p.k.”, kanë marrë me koncesion për 35 vite Aeroportin e Kukësit. Sipas Ministrisë, dy kompanitë shqiptare do të investojnë rreth 8 milionë euro për modernizimin e aeroportit dhe vënien e tij në punë.

Në dokumentet e tenderit, për të plotësuar kriterin e eksperiencës, ky bashkim operatorësh ka paraqitur një marrëveshje me kompaninë holandeze “Nako”, e cila ka një eksperiencë të gjerë në fushën e administrimit dhe menaxhimit të aeroporteve në disa vende të botës.

Aeroporti do të ketë si qëllim të funksionojë për fluturimet me kosto të ulët, duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. Në studimin paraprak të fizibilitetit është vlerësuar se, përmes Aeroportit të Kukësit do të udhëtojnë mesatarisht 300 mijë pasagjerë në vit.

Por, sipas një investigimi të dokumentarit Top Story në Top Channel, edhe në Kukës nuk do të ketë fluturime të lira, kjo për shkak të një marrëveshje abuzive mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit të RINAS-it.

Kontrata, e bërë publike në emisionin “Top Story” thotë që koncersionari i Rinasit do të dëmshpërblehet në rast se ka humbje në fitimet e saj vjetore si pasojë e fluturimeve në Aeroportin e Kukësit.

Ose në të kundërt – vijon TIA, Aeroporti i Kukësit do të ketë të njëjtat tarifa me ato të Rinasit, që do të thotë se nuk do të ketë asnjë ulje të çmimit të biletave të fluturimit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.