Agim Celhyka është personi që shfaqet në një video të regjistruar nga 42-vjeçari Dritan Haxholli, që mbeti i vrarë në konfliktin e armatosur me 37-vjeçarin Bledar Toçi, mesnatën e 9 tetorit në shtëpinë e Marsida Qatjas, në Kavajë.
Pas publikimit të kësaj videoje, Prokuroria kërkoi menjëherë arrestimin e këtij shtetasi nën akuzën për “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i kodit penal, pasi nga Prokuroria e Rrethit Kavajë ai u konsiderua si person që mund të kishte dijeni për konfliktin dhe arsyet e tij, në atë që më pas rezultoi fatale për shokun e tij, Dritan Haxholli.
Burime për “News24” dhe “Balkanweb” bëjnë me dije se menjëherë pas lëshimit të flet arrestit, Policia e Kavajës bëri të mundur ndalimin dhe arrestimin e këtij shtetasi.
Pas kryerjes së procedurave dhe mbledhjes së provave Gjykata e Kavajës ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”, të hënën e parë të çdo muaji.
Të njëjtat burime thanë për “BalkanWeb” se në dëshminë e tij në prokurori, Agim Celhyka pranoi se ai ishte personi që shfaqej në video, por se ai vetë nuk ka pasur asnjëherë probleme me Bledar Toçi, emrin e personit që ai e përmend dhe kërcënon me një armë tip kallashnikov në dorë, që dyshohet të jetë e Dritan Haxhollit.
“Dritan Haxhollin kam kohë që e njoh. Kam qenë në dijeni të një konflikti ndërmjet tij dhe Bledar Toçit por nuk e di se për çfarë, nuk e di pse ishin konfliktuar. Nuk e mendoja që konflikti mund të ketë qenë kaq i madh pasi Dritani nuk me kishte thënë se për çfarë bëhet fjalë. Videon e kemi bërë bashkë me Dritanin, për qejf, me aq sa di unë nuk ja kemi dërguar Bledar Toçit “, mësohet të ketë thënë Agim Çelhyka në prokurori.
Comments are closed.