Marsida që turbulloi dynjanë, 20 ditët e vrasjes dhe trafikut të kokainës (FOTO)

Që prej datës 10 tetor e deri më tani, Marsida Qatja nga Kavaja ka qenë thuajse përditë pjesë e mediave. Diku me hetimet dhe krimin e vrasjes që ndodhi në shtëpinë e saj, e diku me veprimet që janë duke u kryer ndaj vetë Marsidës dhe Bledar Toçit, mikut të saj shef sigurie në Burgun e Durrësit.

Por, nëse në të gjitha rastet “çudia zgjat tre ditë” për Marsidën prej 20 ditësh ka lajme, që vijnë edhe për shkak të çështjes që nuk është aspak një histori rozë, ashtu sikurse u pretendua pak orë pas ngjarjes, ku në shtëpinë e saj mbeti i vrarë Dritan Haxholli.

Më shumë se vrasja, hetues e prokurorë tashmë kanë në dorë një çështje nga e cila mund të dalin shumë të implikuar dhe të zbardhen skema të tëra krimi, kryesisht me objekt trafikun e drogës në zonat e Kavajës, e më së shumti në bregdet.

Vetë Marsida e ka bërë “çorap” çështjen që në krye të herës. Sepse në fillim deklaroi se “vrasja ndodhi pasi viktima kishte shkuar në shtëpinë e saj, pas ngacmimeve të mëparshme”. E në raste të tjera ka deklaruar se njohjet mes të gjithë grupit me të cilët rrinte në shtëpi ishin pjesë e një “krimi të fshehur”.

Por, pavarësisht të gjithave, Marsida Qatja vijoi në ditët e mëvonshme me deklaratat lidhur me drogën që u gjet në shtëpinë e saj, pa dhënë asnjë emër se kush ishte konsumatori dhe se si u gjet kokaina në banesë.

Për këtë ka një dëshmi tashmë e shkruar “e zeza mbi të bardhë” në Prokurori e ku Marsida Qatja thotë se “droga ishte për konsum”, pa specifikuar emrat e personave që merrnin kokainë në sy edhe të fëmijës së saj.

Pikërisht për këtë arsye, Prokuroria vendosi masën e sigurisë detyrim paraqitje për Marsida Qatjan, ndërsa për hetuesit kjo masë lehtësuese u dha më tepër për shkak të fëmijës së mitur.

Ishte sërish Marsida që vetëm pak ditë më parë deklaroi në media (gjë që vetë e ka mohuar) se kishte marrë një shumë prej 20 milionë lekësh për të mos folur rreth trafikut të kokainës. Sipas hetimeve të deritanishme të përfshirë janë të gjithë; viktima Dritan Haxholli, polici i burgjeve Bledar Toçi, vëllai i policit Bernardi, vetë Marsida dhe i fundit në radhë por jo për nga rëndësia bashkëshorti i saj që aktualisht ndodhet në burg në Gjermani.

Madje, Marsida shkoi edhe më tej, teksa tha se do udhëtonte në Gjermani edhe pse është person nën hetim për të takuar bashkëshortin e saj, të arrestuar për trafikimin e një sasie prej 6 kg kokainë.

Edhe në këtë pistë hetimi, Marsida ka reagimin e saj. Ajo thotë se “gjërat do i zgjidhë bashkëshorti i saj, sapo të dalë nga burgu në Gjermani”. Por, 20 ditët e çmendurisë së Marsidës kulmuan këtë të martë kur Prokuroria e rimori në pyetje për një deklaratë të saj, sipas të cilës ishte paguar 20 milionë lekë për të mos folur rreth trafikut të kokainës.

Deklaratë kjo e mohuar nga Marsida Qatja. Madje, protagonizmin e saj e çoi deri në fund kur tha se për “fake news” do hapë proces gjyqësor ndaj atyre që i kanë prishur, apo tentojnë t’i prishin imazhin.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.