A do të bëhet Gent Cakaj, “kurban” i Ramës për Albin Kurtin?!

Albin Kurti kandidati kryesor për Kryeministër i Kosovës në vizitën e tij të parë në Tiranë zhvilloi takime të rëndësishme me të gjithë protagonistët kryesorë të politikës në Shqipëri, duke filluar nga Meta, Rama, Basha dhe Berisha.

Të vetmin që përjashtoi Albin Kurti nga këto takime ishte Gent Cakaj, një ish-anëtar i partisë së tij në Kosovë. Madje, Kurti vendosi të takojë në Tiranë, parardhësin e tij, Ditmir Bushatin, duke injoruar totalisht Ministrin aktual të Jashtëm.



Mes ministrit Cakaj dhe Albin Kurtit  të Vetëvendosjes, marrëdhëniet janë të ngrira, që prej kohës kur Gent Cakaj mori detyrën e Ministrit të Jashtëm, pa dekret presidencial, por me “emërim kryeministror”.

Në datën 10 janar të këtij viti, Lëvizja Vetëvendosja doli me një deklaratë në të cilën thuhej se Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit. Në deklaratë,  kjo forcë politike e quajti të drejtë vendimin e Presidentit Meta për refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë.

Pak javë më vonë, vetë Albin Kurti, në 4 shkurt, pas një takimi që zhvilloi me studentët në Tiranë, u shpreh: “Gent Cakaj shpërtheu si rrena. Besoj që edhe në Republikën e Kosovës edhe në Shqipëri ka pa numër njerëz më cilësorë, më të përgatitur, më të ditur dhe më patriotë që të jenë në krye të politikës së jashtme të Shqipërisë”.

Aktualisht, qëndrimi i Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit në raport me Gent Cakajn nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Ajo që pritet të ketë zhvillime të tjera lidhur me emrin tij ka të bëjë me kryeministrin Rama, që duhet të gjejë të gjitha rrugët që të ccojnë në një bashkëpunim të mirë mes tij dhe kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës.

Bashkëpunimi mes dy shteteve ndodh kryesisht në dy nivele, e para kryeministror dhe e dyta në fushën e diplomacisë, kjo e fundit shumë e rëndësishme për shkak të statusit të Kosovës.

Në këtë pikëpamje, Kurti do duhej të bashkëpunojë me Ramën, por jo me Ministrin e tij Gent Cakajn. Prandaj, Rama është vënë në vështirësi, nëse duhet të bëj “kurban” Cakajn për Albin Kurtin, apo do ta mbajë pjesë të qeverisë duke sakrifikuar kështu edhe raportet me kryeministrin e ri të Kosovës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.