Nuk ndalet Albcontrol/ Tender 500 mijë euro për Check-up, që ofrohet falas në Spitalet Shtetërore

Kompania që menaxhon hapësirën ajrore shqiptare, Albcontrol, vijon të bëjë shpenzime marramëndëse për punonjësit e saj. Pak ditë më parë, Gazeta SHQIP publikoi skandalin që kjo kompani akordoi rreth 500 mijë euro për t’u mësuar anglishten vetëm 10 punonjësve.

Referuar çmimeve ndërkombëtare të kursve të anglishtës për hapësirën ajërore, kjo shifër ishte tepër e fryrë. Por Albcontrol nuk ndalet me kaq!

Ky institucion që funksionon si ent më vete, por që buxhetin e krijon nga biletat e avionëve që paguhen nga qytetarët shqiptarë, ka hapur sërish një thirrje për tender. Gazeta SHQIP ka siguruar dokumentat, ku Albcontrol ka vendosur që tu ofrojë punonjësve të saj Check Up, duke përfshirë edhe familjarët e tyre.

Objekti i këtij tenderi është “shpenzime për kontrollin mjekësor” me fond limit 41.000.000 lekë pa TVSH (me TVSH rreth gjysëm milioni euro). Këto para do të paguhen për 12 muaj, ku punonjësit e kësaj kompanie përfitojnë vizita falas mjekësore.

Përveç punonjësve, sipas dokumentave të tenderit, do të përfitojnë edhe familjarët e tyre. Në total,  do të jenë 332 punonjës që do t’u ofrohet kontroll mjekësor ose siç njihet ndryshe Check Up. Në këtë tender është përfshirë edhe transporti në qendrat shendetësore private ku do të kryhet ky kontroll mjekësor.

Probleme me tenderin!

Ky tender ka dy probleme të mëdha.

E para, shërbimin e Check Up, e ofron falas çdo qendër shëndetësore ose spital shtetëror, për të gjithë shqiptarët që janë të papunë dhe mbi 35 vjeç. Ky është një koncesion i miratuar nga qeveria vite më parë, dhe që ofron kontrollin mjekësor falas vit për vit.

Ndërkohë për ata që janë të punësuar, e përfitojnë këtë shërbim falas kudo, në të gjitha qendrat mjekësore të vendit. Punonjësit e Albcontrol, janë zyrtarë shtetëore, dhe si të tillë duhet të jenë të barabartë me të gjithë Administratën Shtetërore. Pra, ata mund të marrin shërbimin e Check-up falas, njësoj si të tjerët. Nëse çdo institucion shtetëror do të hapte një tender për kontrollin mjekësor, atëhere përse duhet të vijojë kontrata koncesionare prej 87 miliardë lekësh për Check-up falas, për 10 vite.

Dhe e dyta. Shifra e tenderit prej 500 mijë euro për 332 punonjës, është tepër e fryrë. Nëse e përpjestojmë këtë shifër, i bie që çdo punonjës i Albcontrol do të paguajë rreth 1500 euro në muaj për një Check-up. Po t’i hedhim një sy çmimeve tek spitalet private, një kontroll mjekësor falas është 100 euro dhe një sigurim i plotë shëndeti shkon diku tek 150 euro në vit. Pra, në total një qytetari i duhen vetëm 250 euro për të kontrolluar shëndetin e tij dhe për të garantuar mbulim mjekësor të plotë në rast aksidenti në punë. Ndërkohë, Albcontrol bën tender me 7 fishin e kësaj vlere.

Tenderi për Check-up për punonjësit e Albcontrol, bëhet çdo vit, dhe ky është abuzimi më i madh që i bëhet fondeve publike dhe taksapaguesve shqiptarë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.