Basha beson tek “plani gjerman” për Shqipërinë, ja parashikimi i tij për zgjedhjet

Kryedemokrati Lulzim Basha beson te ai që tashmë njihet si “plani gjerman” për Shqipërinë. Janë ato 9 pika, që u bënë publike në momentin kur Bundestagu vendosi të japë një “Po” me kushte për Shqipërinë, në lidhje me hapjen e negociatave, edhe pse nuk ndodhi ashtu siç pritej për shkak të vetos së Francës.

Në një intervistë për “Mapo”, Lulzim Basha thotë se “plani gjerman, është një mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë që t’i afrohet sa më shumë standardeve europiane. Kjo është arsyeja e vetme pse unë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, besojmë se kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman duhet të përmbushen pa asnjë vonesë, në mënyrë reale dhe jo për t’i hedhur hi syve partnerëve tanë”.

Sipas Bashës, Edi Rama nuk ka dhe nuk ka për të patur vullnet për përmbushjen e atyre kushteve. “Askush nuk beson se njeriu që ka bllokuar hetimet e krimeve elektorale, do të mund të përmbushë kushtin për dënimin e bashkëpunëtorëve të tij. Askush nuk beson se Qeveria, që korrupsionin e ka kthyer në rregull, do të luftojë dhe dënojë korrupsionin. Askush nuk mund të besojë se Qeveria që ka ardhur dhe mban pushtet me krimin e organizuar, do të luftojë krimin e organizuar. Prandaj, vendi ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme, të parakohshme, dhe një Qeveri të re që del nga vullneti i qytetarëve dhe punon në interesin e tyre” – deklaroi Basha.

I pyetur nëse Partia Demokratike do të fitojë shumicën e duhur që do t’i mundësojnë qeverisjen e vendit, nëse zgjedhjet bëhen sot, Basha ka një përgjigje të shpejtë. “Të gjitha sondazhet e nxjerrin sot Partinë Demokratike forcën e parë politike në vend, një fenomen që ka, të paktën, dy dekada që nuk ndodh në Shqipëri. Ne po bëjmë gjithçka të bindim edhe elektoratin e pavendosur se PD është alternativa më e mirë për vendin. Dhe për këtë ne kemi hartuar një program ekonomik në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët gjermanë te CDU dhe në konsultim të gjerë qytetar” – deklaroi ai përmes intervistës në media.

Sipas Bashës, PD ka gati platformën antimafia dhe antikorrupsion, me të cilën, çdokush që ka futur duart në pasurinë publike do t’ua ktheje mbrapsht qytetarëve, kemi paraqitur propozimet tona për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Unë jam i vendosur të çoj përpara misionin tim për t’u dhënë shqiptarëve në qeverisje, modelin europian që meritojnë.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.