Zgjedhje të reja/ Basha: Edi Ramën e kam mundur tek për tek. Deputetë e listës nuk dinë…!

Kryetari i Partisë Demokratike në një prononcim për neës 24 i ripërsëriti kërkesën e tij se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Nuk kam asnjë frikë nga Edi Rama dhe as nga zgjedhjet dhe madje jam i bindur se ato i fiton opozita. Edi Ramën e kam mundur tek për tek dhe e mund çdo ditë” – tha kryedemokrati Lulzim Basha.

Rasti që përmend Basha, se ka fituar me Ramën është ai i zgjedhjeve lokale të vitit 2011, kur kryetari aktual i Partisë Demokratike fitoi Bashkinë e Tiranës me një diferencë vetëm prej 10 votash përkundrejt rivalit të tij që kërkonte një mandat të katërt në kryeqytet.

I pyetur për një takim të mundshëm mes tij dhe Ramës Basha tha: “Nuk kam asnjë kompleks as të ulem, as të diskutoj. Ka një problem. Për, të paktën, tre herët e fundit, kryeministri aktual ka abuzuar me vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog. Pra, është e qartë që kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire, do të thoja edhe kapacitetesh, nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër”.

Për shefin e opozitës mjaftueshëm i kritikueshëm ka qenë edhe veprimi i ambasadorit të OSBE, që u nxori gishtin e mesit disa banorëve të Unazës së Re, që po protestonin tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Ndërkohë, Basha foli edhe për deputetët e listës, teksa pranoi se një pjesë nuk kanë intelektin e duhur dhe nuk dinë as të lexojnë. Kjo sipas tij nuk ka ardhur nga vlerat e PD, por nga ruajtja e raporteve me partitë aleate, duke vënë në dukje edhe faktin tjetër, se ka munguar vigjilenca në rastet, kur emrat e këtyre deputetëve ishin në fund të listave.

Një pjesë e mirë kanë ardhur nga listat e partive të vogla aleate, nuk kanë ardhur si propozim i PD, por të aleatëve shumë të vegjël, që e kërkonin këtë si një afishim nominal të partisë dhe të logos së partisë. Dhe e gjitha kjo ka ndodhur në një proces për më pak se pesë ditësh. Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk është justifikim. Është një shans për reflektim dhe për ndryshim që kjo të mos përsëritet më kurrë”.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.