Përse nuk bëhen zgjedhjet për Sekretarin e Përgjithshëm në Partinë Socialiste?!

Kriza politike në vend, vendimi negativ i Bashkimit Evropian për negociatat dhe plani i qeverisjes deri në 2021, janë të gjitha një diskutim që do t’i paraprijnë një tjetër zhvillimi në Partinë Socialiste.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e brendshme të socialistëve që do zhvillohen në muajin janar, sikurse parashikohet në Statut. Sipas Statutit të miratuar në 2016, të gjithë duhet të shkojnë në zgjedhje, përveç kryetarit të Partisë Socialiste, në këtë rast Edi Ramës.



Kjo është e parashikuar në Nenin 40, pika 5 të statutit, ku thuhet se kryetari në momentin që është kryeministër, atëhere i rinovohet automatikisht mandati.

Por, burime të Gazetës SHQIP mësojnë se në këtë proces zgjedhor që duhet të jetë për të gjithë, do të përjashtojnë zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, që aktualisht mbahet nga Taulant Balla.

Ky i fundit e ka marrë këtë detyrë në muajin nëntor të vitit 2017, duke zëvendësuar Gramoz Ruçin, që u zgjodh kryetar i Kuvendit, detyrë të cilën e mban edhe sot e kësaj dite.

Me një argument të ngjashëm me atë të Ramës në vitin 2016, kur kërkoi referendum për të mos u votuar si kryetar, duke qenë se fitoi zgjedhjet dhe automatikisht rinovohej një mandat kryetari, po tenton të veprojë edhe Taulant Balla.

Brenda në Partinë Socialiste, tashmë janë ndarë dy grupime. I pari është ai që ka një qasje  të njëjtë me Taulant Ballën, të cilët e argumentojnë se Sekretarit të Përgjithshëm nuk i ka mbaruar mandati 4 vjeçar, duke e lidhur këtë me zgjedhjen e tij në 2017 dhe për pasojë mbarimin e mandatit në vitin 2021.

Madje, keqinterpretojnë edhe nenin 45 të Statutit të Partisë Socialiste, në të cilin thuhet se mandati për Sekretarin e Përgjithshëm, ashtu si edhe për kryetarin e partisë është 4 vjet.

Ndërkohë grupi i dytë, është ai që kërkon edhe zgjedhjen e Sekretari të Përgjithshëm, pasi mandati për këtë pozicion nuk përkon me marrjen e detyrës së individit, por me zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste.

Pra, e thënë më thjeshtë, nëse në 2020 Balla jep dorëheqjen, dhe në vend të tij emërohet një tjetër, i bie që zgjedhjet për Sekretar të Përgjithshëm, të shtyhen deri në 2024. Nëse ky precedent ripërsëritet, atëherë zgjedhjet janë nul.

Në fakt, tentativat për të bllokuar garën për Sekretar të Përgjithshëm, lidhet me faktin për të mbajtur Taulant Ballën me forcë në këtë pozicion. Sekretari i Përgjithshëm ka rol kyç në parti, pasi zëvendëson Kryetarin, mban punimet e Asamblesë dhe mbikqyr Statutin.

Burime brenda Partisë Socialiste, konfirmojnë për Gazetën SHQIP, se disa kandidatë të mundshëm, kanë shprehur interesin për Sekretarin e Përgjithshëm.

Ata janë Pandeli Majko, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj, apo ndonjë ministër tjetër i kabinetit, të cilët mund të garojnë për Sekretar të Përgjithëm. Të gjithë këta, cilësohen si kundërshtarë të kryetarit Edi Rama, prandaj kjo është arsyeja përse mbahet fort Taulant Balla.

E nëse ndodh kjo, atëherë mund të thuhet se zgjedhjet në Partinë Socialiste do të kthehen në farsë, duke kujtuar kohën kur vetëm Rama nuk pranoi të hynte në votim si kandidat për kryetar.

Atë që bëri vetë dikur, tashmë Rama kërkon ta bëjë me Sekretarin e Përgjithshëm, duke shkatërruar traditën  e hershme të kësaj force politike, për demokraci të brendshme dhe për mendimin e lirë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.