Mosburrnia e Evropës dhe e Ramës

Nga Arben MANAJ

Çështja e mos hapjes së negociatave të Evropës  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe njëherë demostroj paturpësisht kalbëzimin e një organizmi, ku këto vende të Ballkanit duan të hyjnë, si dhe mospërshtatshmërine e këtyre mollëve të kalbura ballkanike, që duan të bëhen pjesë e arkës së kalbur të Evropës.

Jo sepse jetoj në Britani dhe jam mbështetës i Brexit, e kundërta, por sepse, nga perspektiva e atij vendi, debati për Evropën të mundësojnë të iluminohesh sadopak, për dritëhijet e thella të Evropës, nga ku duan të dalin britanikët, pikërisht për shkak të një institucioni dhe burokracie gërditëse, që po i kalon me shpejtësi hapësinore data e skadencës.

BE-ja, siç thotë Macron, ka nevojë për një reformë të jashtëzakonshme, pasi është një klub politik, pse jo edhe fetar deri diku, ku administrimi i saj, bëhet nga njerëz të pa zgjedhur dhe përfaqësues vëndesh që BE-në, më së shumti në praktike, e konsiderojnë si një qyp, pa hipotekë, ku të gjithë mund të fusin duart e të gjithë bëjnë, sikur janë të barbartë, nën parimin e unanimitetit të vendimmarrjeve, por që timonin e frenat i kanë  në dorë realisht, herë Gjermania e herë Franca, e ku te tjerët janë zara në duart e tyre, në këtë projekt konfederativ divers, gjithnjë e më shumë i paaftë për t’u vetëmbajtur në këmbë.

Eshtë pikërisht Brexit që po trondit BE-në, nëse do reformohet një ditë të bukur, pasi shumëçka në menaxhimin e institucioneve të tyre, është e mbushur me hipokrizi dhe inkompetencë ulërritëse.

Zgjerimi i këtij Unioni dhe mosserioziteti i tij është një tallje e merituar me vendet aspirante që vazhdojnë të jenë naive, në plotbesimin se një ditë ose një dekadë e më shumë, do jenë pjesë e “El Dorados” së rrudhosur dhe mplakur evropiane, përballë fuqive të tjera ekonomike në rritje të planetit.

Tallja fillon me përfaqësuesit e BE-së dhe vendeve anëtare, nëpër vendet aspirante dhe konkretisht në Shqipëri, që e paraqisin Shqipërinë në Bruksel e vendet e tyre, si një vënd që meriton të hap negociatat.

Vërtetë e keni?! Një Shqipëri, që ju sjell kokainën në vëndet tuaja për të vrarë jetët e femijëve dhe të afërmëve tuaj!

Apo emigrantë që nuk janë politik të mirëfilltë, por ekonomik me të drejtën e Zotit, por që shfrytëzojnë sistemet tuaja të vjetëruara të emigracionit  dhe burokarise shtetërore naive, thjesht sepse nuk doni shqiptaret të hyjnë nga dera, por nga dritarja. Një Shqipëri që krimi i organizuar investon dhe ju nuk lëvizni as gishtin për të ndjekur paranë dhe burimin e tij.

Një Shqipëri që bën zgjedhje pa opozitën, pavarësisht nga “ debilllëku “ i saj, nëse doni ta denigroni kështu, si në asnjë vënd të Ervopës demokratike, dhe përfaqesuesve të BE-së,  kjo ju duket normale!!!

Raporti i OSBE-ODHIR-it, dëshmon më shumë se gjithshka dhe gjithkush se çfare niveli menaxhimi elektoral ka ky vend, që do të hap negociatat, që çuditërisht shume vendë të BE-së jane pro!!!

Një Shqipëri që qeveria e saj nuk është në gjëndje të menaxhoj dot një krizë politike si kjo e këtyre dy viteve të fundit, ku kriza po shnderohet në permanente dhe si e tillë, i bie të mos jetë  më krizë.

Një Shqipëri, ku nuk dënohet e ndëshkohet kush  nga pushtetet e sotme dhe të djeshme, për korrupsion dhe vjedhje te pasurive publike të shqiptareve, ku deputetë e ofiqare kane makina nga 120 mije euro e gjysëm milionë shqiptarë të varfër a nga shtresa e mesme ikin nga vendi si askush nga fqinjët, sepse nuk shohin mundësira të barabarta për cdo shqiptar, por për ata që i lëpihen partive dhe pushteteve a kryetarëve të partive që janë po të  njëjtët qëkur unë u largova para 27 vjetësh nga ky vënd.

Një Shqiperi që është faktikisht Rusia e Putinit në funksonimin e shtetit, ku media është e tëra e blerë nga pushteti dhe oligarkët e medias janë në thesin e qeverisë, që i kërcenon dhe i shantazhon me reklama e tendera, ku si askund në BE-në e Macronit e Merkleit, të Tuskut e Junker-konjakut, nuk gjen një kryeministër të ketë TV të vetin, si ERTV, apo ndonje politikan tejtër i rëndësishëm që nuk e kritikon kush se i ka blerë të gjithë e u con redaksive të gatshme lajmet ne audio e video, që  nuk kalojnë në asnjë filtër editorial.

E askush nga këta palacot e BE-së e institucioneve ndërkombëtare në Tiranë nuk reagon, madje rekomandojnë se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.

As Turqia e Erdoganit nuk ka praktika të tilla. Dhe mirë bëjnë që u tregojnë gishtin e mesit shqiptarëve, ata dhe Ai, që e mbajnë në pushtet me bekimin e tyre, e që u thotë shqiptareve; “qe lala duart”!

Një Shqipëri që mbushet me kanabis e kokainë që përmbyt Evropën, ku këta përfaqësues të BE-së mbyllin sytë, sepse Tirana për ta është parajsa ku bëjnë një jetë gurveratorësh, mes lluksit, dritës mediatike, dhe nën shoqërinë e vëndasve, derisa u bie infarkt maleve nga orgazmimi prej bukurive natyrore dhe jo vetëm…

BE-ja ka probleme të vetat, dhe nuk ka nevojë për mollë të tjera te kalbura, pas mbylljes së syve me anëtarësimin e e Rumanisë e Bullgarisë, që janë në nivele të njëjta korrupsioni dhe mosfunksionimi insisticional, sa Shqiperia apo Maqedonia e Veriut.

Dhe duke gënjyer vëndet e Ballkanit se do u hap dyert kur nuk ka ndërmënd, pavarësisht nga arsyet, apo edhe me të drejtë, tregon mosburrni.

As Shkupi nuk e meriton syshkeljen nga BE-ja, pavarësisht se ka bërë koncensione nga pozita inferioriteti ndaj kërkesave të BE-së, por ka probleme të mëdha me demokracinë  dhe korrupsionin, që janë ku e ku më pak, me ato të Shqipërisë, që nga bërja e zgjedhjeve e deri tek raporti me moralin politik, sic ishte doreheqja e kryeministrit maqedon Zaev, që tregon se sa lart dhe larg është vëndi i tij dhe ai vet, nga homologu shqiptar, kur ai jep doreheqjen, e “Mr Potures”, nuk i shkon as neper cep te mëndjes ta bëj si gjest normal politik në Evropën, që ëndërojmë të shkojmë që kur ai dhe une kishim flokë si bashkëmoshatar.

Një arsye më shumë përse Macron do ndihet keq që na bëri nder, që nuk e ndau Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, që vepron si shtet evropian dhe e meritonte më shume hapjen e negociatave sesa ne.

Dorëheqja e Zaevit, dhe mosburrnia e Ramës, për ta kopjuar, i vjen në ndihmë Macronit dhe vëndeve që u bashkuan me të, dhe ua ul kokën Merkelit dhe aleatëve të saj, që nuk tolerojnë në vëndet e tyre ato që ndodhin në Shqipëri më shumë, e në Maqedoni më pak.

Si Evropa ashtu dhe vëndet aspiranate, ja kanë me hile njëra-tjetrës; të parët thellë thellë, nuk duan brënda vënde problematike që do u mbesin në qafë për dekada, që duhen financuar për t’u barazuar në nivelin ekonomik dhe mendor me atë të evropianëve verior, dhe as ballkanasit nuk duan të vihen nën zap, pasi kështu sic po i lë Evropa, është më ndjellëse dhe rrumpallë, për ata që drejtojnë këto vende.

.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.