Aktiviteti i Bledar Toçit/ Para burgjeve ka punuar në Presidencë dhe Gardën e Republikës (FOTO)

Familjarët e Bledar Toçit hedhin poshtë çdo pretendim se në punë është futur prej xhaxhait të tij deputet, Fatmir Toçi. Nuk është e vërtetë – thonë ata, sepse Bledari ka tre diploma dhe ka hyrë me meritë në strukturat shtetërore.

Madje, nëna e Bledar Toçit thotë se djali i saj ka qenë për 10 vjet i punësuar në Tiranë pranë Gardës së Republikës dhe Presidentit, por për shkak të të ardhurave të pakta u kthye në Kavajë.

“U kthye në shtëpinë e prindërve, sepse nuk i dilte rroga. Tirana ka jetesë të shtrenjtë” – thotë nëna e tij, që për herë të parë rrëfen për të birin, pas ngjarjes së rëndë, ku ai u përfshi duke vrarë një person, ndërsa vetë mbeti i plagosur.



Nisur nga puna që bënte, nëna e tij thotë se nuk ka asnjë mundësi të merrej me drogë, apo veprime të tjera të pahijshme, sepse ndryshe nuk do të punonte në institucione publike.

Si nënë, ajo ka frikë se e gjithë “zhurmnaja” mbi Bledarin dhe rolin e tij në ngjarje mund të ndikojë për keq në shëndetin e të birit. Jehonën e gjerë dhe debatet e shumta që zgjoi ngjarja e trajtuar fillimisht si një krim pasioni e më pas si vepër e një grupi të strukturuar kriminal, Fatbardha e lidh me një sulm politik ndaj të birit si pjesë e strukturës shtetërore, ndërsa  foton e Bledarit me viktimën e konsideron një montazh, një manipulim mediatik, pasi ata, sipas saj, nuk e njihnin njëri-tjetrin.

“Si nënë nuk e besoj që kjo të jetë e vërtetë, them se u bë kaq mediatike për arsye politike. Meqë ka detyrën si person publik i shtetit. Këtu sulmohen gjithmonë ata që janë në punë dhe jo ata që rrinë nëpër rrugë. Nuk e besoj që Bledari të ketë foto me viktimën. Është një montazh, një bashkim fotosh për të bërë lidhjen mes tyre. Ai ka qenë person i dënuar” – tregon Fatbardha Toçi.

Lidhur me gjetjen e dozave të kokainës në apartamentin e tyre, ajo i qëndron deklaratës së bërë nga avokati i djemve se ato përdoreshin nga bashkëshorti për arsye shëndetësore. Në shtëpi u gjendën 7 doza të vogla që i përdor burri im si qetësues për dhembjen e kokës. Ai i ka siguruar vetë ato diku në Laprakë. Tani vonë i ka filluar se nuk po i duronte dot dhembjet e kokës. Ka pësuar një aksident të rëndë dhe e ka jetë të dytë këtë.

Që nga dita kur ndodhi ngjarja Fatbardha nuk ka dalë më nga shtëpia. Ndjehet nën presion ndaj i bën thirrje medias të presin përfundimin e hetimeve, para se të aludojnë dhe të përflasin familjen e saj.

“Po kalojmë në depresion. Kam një javë që nuk dal nga shtëpia. I lutem të gjithë mediave të presin çdo të thotë hetuesia e Prokuroria e më pas të flasin. Ju lutem të mos luajnë më me familjen tonë. Bledari ka nuse, ka një fëmijë. Ne jemi familja dhe të gjithë jemi shumë të shqetësuar me këtë ngjarje. Asnjëherë një vrasje nuk është bërë kaq alarmante sa kjo, ndërsa dihet kush është ai që u vra.

Me lot në sy, ajo ngre pyetjen pse policia nuk e kapi më parë viktimën, një person problematik dhe në kërkim, po lejoi që të ndodhte ngjarja e rëndë teksa shpreh bindjen se i biri e kreu vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes.

Dihet kush është ai që u vra. Le ta merrte policia në dorë. Pse e la atë?! Pse e akuzojnë Bledarin pse e vrave?! Po vetëmbrojtje është. Kushdo që ka përballë një që do ta gjuajë si do të reagojë?! Do të mbrosh veten përballë një krimineli. … Ne nuk e kemi pasur e as do ta kemi këtë traditë të vrasjes. Ishte aksidentale. Ai u mbrojt” – thotë ajo, duke justifikuar krimin e të birit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.