15 familje kërcënohen me vdekje, pallati rrezikon shembjen (FOTO)

15 familje të një pallati 6 katësh në lagjen “Punëtori” në Gjirokastër prej 2 vitesh jetojnë nën frikë pasi nga momenti në moment pallati rrezikon të shembet. Në 5 janar të 2018, trualli nën pallatin 6 katësh për shkak të lëkundjeve tektonike rrëshqiti duke rrezikuar shembjen e pallatit.  Banorët shprehen të shqetësuar dhe kërkojnë nga bashkia ndërhyrje emergjente pasi jetesa në ato kushte përbën rrezik për jetën.

“Kemi frikë na kanë lënë kështu një vit e gjysëm. Do fillojnë dhe shirat do vijë dimri. Kemi frikë të qëndrojmë, kemi frikë të rrimë. Do zërë fëmijët brenda se ne ska gjë. Sa vjen ditë përditë çahet vendi. Tronditet. Ne nuk dimë se çfarë të bëjmë tani” – thonë banorët.

Ndërkohë bashkia e Gjirokastës ka hartuar projektin vitin e kaluar me vlerë 3.8 milionë lekë për studimin inxhinierik për stabilizimin e rrëshqitjes. Por edhe pse është një projekt emergjent ende nuk është marrë asnjë masë për pallatin 6 katësh.

“Në vitin 2018 ne arritëm të sigurojmë një fond 3.8 milion lekë të reja për hartimin e projektit. U bënë procedurat e tenderimit dhe u realizua tenderimi.  Në prill të këtij viti u hap një thirrje nga qeveria që bashkitë të çonin projektet. Ne aplikuam për këtë projekt, por nuk kemi një kthim përgjigje” ka deklaruar Ilir Cumaku, drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Gjirokastrës.

Në momentin e rrëshqitjeve të dheut në 2018 familjet u strehuan në konvikt dhe në hotele nga Bashkia për të shmangur rrezikun e shembjes së ndërtesës. Pas disa javësh, familjet u rikthyen në pallat dhe sot e kësaj dite ata jetojnë me frikën e shembjes së godinës ku jetojnë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.