Përse BE duhet t`i hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Çështja e çeljes së shumëdëshiruar të negociatave nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore ka tërhequr vëmendje të madhe, me ekspertë të ndryshëm që përpiqen të vënë në balancë përfitimet e një procesi të rrethuar prej shumë kohësh tashmë nga pikëpyetje të mëdha. Frank Schimmelfennig, profesor I politikave europiane në Universitetin teknologjik të Zyrihut dhe Ulrich Sedelmeier I London School of Economics and Political Science rendisin disa arsye përse BE-ja, sipas tyre, duhet t`i japë dritën jeshile negociatave.

Dyshja sqaron se politika e zgjerimit të bllokut ka vuajtur nga besueshmëria e ulët, si në aspektin e premtimeve të anëtarësimit nga BE, ashtu edhe në raport me gatishmërinë e saj për të sanksionuar në rast mospajtimi. Vendimi mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ofron një mundësi thelbësore për ta rikthyer këtë besueshmëri, mendojnë dy analistët. Schimmelfennig dhe Sedelmeier tregojnë sesi në një studim të fundit kishin argumentuar se reduktimi I besueshmërisë së premtimit të BE-së për anëtarësime është kthyer në pengesën kryesore të një përdorimi sa më efikas të kushtëzimit të zgjerimit tek vendet e ardhshme anëtare.

Po kështu, mungesa e besueshmërisë së sanksioneve të BE-së është pengesa më e madhe për europianizimin e qëndrueshëm të anëtarëve të rinj të bllokut. Dy ekspertët kanë bërë edhe një krahasim mes kushtëzimit para-aderimit në Ballkanin perëndimor dhe Turqi me kandidatët e 2004-2007tës. Ndërsa BE-ja, vërejnë ata, I premtoi të gjithëve anëtarësim të plotë, nuk pati dallime ne përmasat e shpërblimit. Në një farë mase, shtrirja e konkurrencës gjeostrategjike me Rusinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka bërë që BE të konsiderojë prioritar stabilitetin dhe një orientim pro-perëndimor në kurriz të promovimit të demokracisë. Megjithatë, besueshmëria e premtimeve të anëtarësimit të BE ka vuajtur këtë herë më shumë krahasuar me raundet e mëparshme të zgjerimit. Mbështetja publike për zgjerimin e BE-së në vendet anëtare është gërryer me kalimin e kohës, dhe partitë populiste e kanë instrumentalizuar kundërshtimin e zgjerimit. Franca prezantoi kërkesën e një referendumi kombëtar për anëtarësimet në të ardhmen, duke e rritur kështu më tej pasigurinë për anëtarët e mundshëm. Për më tepër, konflikte të veçanta bilaterale me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me kushtet zyrtare të anëtarësimit, kanë penguar procesin e pranimit.

Shembulli më i rëndësishëm ishte mosmarrëveshja për emrin e shtetit mes Greqisë dhe Maqedonisë, e cila e kishte çuar Athinën që të bllokonte fillimin e negociatave të pranimit nga 2009. Në mënyrë të ngjashme, disa shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën, dhe mungesa e një marrëdhënie të normalizuar mes Prishtinës e Beogradit, e bllokon gjithashtu pranimin e Serbisë. Nëse institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare mbeten të ndara mbi rëndësinë e normave të demokracisë liberale, përdorimin e sanksioneve pas pranimit kundër hapave prapa të demokracive, dhe dëshirën e fortë apo ndjenjën e urgjencës që vjen nga Ballkani Perëndimor, besueshmëria do të jetë e vështirë për t’u rikthyer.

Vendimi për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një mundësi thelbësore për ta bërë këtë. Megjithëse Komisioni Europian ka konfirmuar që të dy vendet kanë bërë përparim të mjaftueshëm me reformat e brendshme për të filluar negociatat e pranimit, Këshilli deri më tani nuk ka qenë në gjendje të pajtohet për këtë hap. Por një vendim I tillë do të ishte “një test për aftësinë e Unionit që të vërë ne jetë premtimet e tij“. Dritarja e mundësive po mbyllet shpejt, e popujve mund t`i humbasë durimi me qeveritë e fokusuara tek reformat të cilat nuk e garantojnë dot progresin drejt rrugës së anëtarësimit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.