Spektakël kuqezi në Moldavi, kombëtarja fiton me gola dhe me lojë; edhe Kosova tre pikë (FOTO)

Shqipëria ka dhuruar spektakël në Moldavi, duke shkatërruar ekipin vendas me rezultatin e pastër 4 me zero. Madje, kishte raste për ta thelluar rezultatin nëse Roshi në minutën e fundit të ndeshjes do të shënonte atë gol, që do mrekullonte çdo tifoz kuqezi.

Ekipi shqiptar e nisi në sulm të gjithë takimin, duke bërë që brenda 45 minutave të para të shënojë tre gola me Cikalleshin, Baren dhe Trashin. Ndërsa spektakli nën sundimin kuqezi u mbyll me Rey Manajn, një gol që ishte mbyllja më e bukur.

Tekniku italian Edi Reja e kishte përgatitur deri në detaje ndeshjen, madje duke rilënë në fushë deri në momentin e fundit të takimit dy sulmuesit Cikalleshi dhe Manaj, që të dy të rikthyer me gola.



Ishte thuajse e njëjta lojë si në Turqi, por këtë herë pati edhe rezultat. Moldavët thuajse ishin të dorëzuar që në fillim, sepse Shqipëria ishte edhe sulmuese, por me një mesfushë për t’u patur zili.

Në fund, Shqipëria shënoi katër gola, duke qenë në vendin e katër deri më tani me 12 pikë. Grupi në të cilin bën pjesë Shqipëria kryesohet nga Franca dhe Turqia me nga 19 pikë, më pas Islanda me 15 pikë dhe kuqezinjtë me 12 pikë. Të fundit në grup janë skuadrat e Moldavisë dhe Andorrës, dy skuadra me të cilat Shqipëria ka sërish minuta për të luajtur e ku padiskutim do kërkojë pikët maksimale.

Edhe në ndeshjen e gjashtë në grup, në shtëpi përballë Malit të Zi, ekipi i Bernard Shaland fitoi pastër 2-0, duke fituar sërish terren.

Takimi i Kosovës nisi në mënyrën më të mirë, teksa që në minutën e 10-të, ishte kapiteni Amir Rrahmani që me kokë nga një goditje dënimi, kërceu më lart dhe pas daljes jo të menduar të portierit, çoi topin në fundin e rrjetës.

Me kalimin e minutave, ishte sërish Kosova që kontrollonte lojën. Goli i dytë erdhi në minutën e 34-t, ku pas një aksioni të bukur, Hadëgjonaj pasoi te Muriqi, dhe ky i fundit në dy kohë, çoi topin në fundin e rrjetës.

Edhe fraksioni i dytë, kishte të njëjtin refren. Kosova pati shumë raste, por gjithashtu shpërdoroi shumë para porte, ndërsa në një moment edhe Muriqi u ndal nga traversa. Në fund, Kosova mori 3 pikë me shumë vlera, dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë me 11 pikë, vetëm një më pak se Çekija e vendit të dytë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.