Vettingu/ Pasuritë e pista të prokurorëve dhe gjyqtarëve, deri tani 80 të përjashtuar

Dy vjet më parë debati politik dhe ai juridik ishte më shumë se prezent. Nisja e një procesi verifikimi për të gjithë sistemin e Drejtësisë e tronditi jo pak Prokurorinë dhe Gjykatën në të gjitha shkallët e saj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vettingut nisi zyrtarisht verifikimin e trefishtë të mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale. Deri më tani janë verifikuar një e katërta e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga të cilët mbi 80 janë shkarkuar nga detyra kryesisht për shkak të pasurive të paligjshme, por edhe për lidhjet me krimin dhe vendimet arbitrare.

Ndërsa 21 subjekte kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar Vettingut. Që nga fillimi i procesit të rivlerësimit dhe deri më sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar në prokurori vetëm dy raste, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj si dhe ish-kryeprokurorin e Tiranës, Petrit Fusha.


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi për të dy subjektet procesin e kontrollit, por ata dhanë dorëheqjen para se të dinin para Komisionit të Vettingut, për t’u njohur me rezultatet e hetimit.

Ndërkaq, në prokurori si i pandehur përfundoi edhe ish-anëtari Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Thanza kishte fshehur një dënim në Itali për grabitje dyqanesh, fakt i konstatuar nga Komisoni i Pavarur i Kualifikimit.

Më pas prokuroria kërkoi 1.6 vite burg për ish-gjyqtarin Thanza, ndërsa gjykata e dënoi me 9 muaj burg dënim i cili u konvertua me 18 muaj shërbim prove. Pra, dy vjet nga veprimi i ligjit të Vettingut, kemi vetëm të dy subjekte të kallëzuara dhe një të dënuar. Ky bilanc negativ ka detyruar Bundestagun gjerman t’i vendosë kusht Shqipërisë “fillimin e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme” pas çeljes së negociatave.

I gjithë procesi i Vetingut është ndërtuar vetëm për një qëllim: Identifikimin dhe largimit nga sistemi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, pa asnjë pasojë penale.

Për ndëshkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar janë parashikuar organet e SPAK-ut, të cilat do të veprojnë të pavarura nga Vetingu, ndonëse mund të marrin indicie për të nisur hetime.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.