Zbulohen të dhënat për njësinë sekrete ruse që tenton operacione destabilizuese në disa shtete

Zyrtarë perëndimorë të sigurisë kanë identifikuar një njësi ruse të inteligjencës, që ka tentuar të kryejë vrasje dhe operacione destabilizuese në shtete të huaja. Kështu ka raportuar e përditshmja “Neë York Times”.

Gazeta ka raportuar se ndonëse zyrtarët kanë identifikuar këtë njësi në muajt e fundit, ata besojnë se ka vepruar në fshehtësi për të paktën një dekadë. Njësia me shifër 29.155 e ka bazën në Moskë dhe është pjesë e agjencisë ushtarake për inteligjencë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, e cila njihet si GRU.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se kjo njësi është përgjegjësi për dy tentimet për helmimin e shitësit të armëve, Emilan Gebrev më 2015, për tentimet për puç më 2016 në Malin e Zi, që ka përfshirë edhe tentimet për vrasje të kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, si dhe për tentimet për helmim të ish-agjentit rus, Sergei Skripal në Londër.



Ndonëse edhe më herët këto incidente u janë veshur forcave ruse të sigurisë, zyrtarët perëndimorë tani besojnë se ato janë kryer nga një njësi e vetme e inteligjencës ushtarake ruse.

“Ekziston një njësi e GRU-së që ka qenë aktive për vite në gjithë Evropën”, ka thënë një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë në Evropë për “Neë York Times”.

Duke folur para gazetarëve në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë këto raportime, duke thënë se Moska nuk ka asnjë interes për të destabilizuar shtetet evropiane, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Më 2006, presidenti rus, Vladimir Putin, ish anëtar i KGB-së sovjetike, dhe dikur drejtues i Shërbimit Federal për Siguri (FSB), pati nënshkruar një ligj që autorizon agjencitë e sigurisë që të kryejnë vrasje të shënjestruara jashtë shtetit. Në po atë vit, ish zyrtari i FSB-së, Aleksandr Litvinenko ishte vrarë në Londër. Zyrtarët britanikë kanë lidhur këtë vrasje me FSB-në.

Disa zyrtarë evropianë të sigurisë i kanë thënë Neë York Times-it se ata janë të befasuar nga kualiteti i dobët i punës i njësisë, 29155. Ata përmendin se Skripal dhe Gebrev u kanë mbijetuar tentim-vrasjeve kundër tyre si dhe puçi në Malin e Zi ka dështuar. Në të tria rastet, hetuesit kanë gjetur të dhëna se komplotet lidhen me forcat ruse të sigurisë.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.