Paratë false në qarkullim, ja si do të bëhet zbulimi nga Policia

Shqipëria shpesh ka qenë vendi i kartmonedhave false. Kjo edhe për shkak të mungesës së një strukture gjurmuese ndaj tyre. Së fundmi Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj që ka për qëllim aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për luftën kundër falsifikimit të monedhës, nënshkruar në Gjenevë, 90 vjet më parë.

Kjo konventë siguron parandalimin dhe dënimin e veprës penale të falsifikimit të monedhës, nëpërmjet bashkëpunimit me shtetet anëtare, duke shkëmbyer informacion me anë të Zyrës Qendrore.

Ky bashkëpunim pritet të realizojë objektivat në lidhje me evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave të përbashkëta në luftën kundër falsifikimit të monedhës, duke respektuar legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar në fuqi. Hetimet mbi subjektin e falsifikimit do të organizohen nga Zyrat Qendrore, të cilat do të krijojnë komunikim të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.


Në kuadër të kësaj konvente, Shqipëria duhet të ngrejë një Zyrë Qendrore. Referuar projektligjit, Zyra Qendrore do të ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

“Ngritja e Zyrës Qendrore nuk do të ketë kosto shtesë, pasi do të pozicionohet në ndërtesën aktuale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në buxhetin aktual të Policisë së Shtetit për vitin përkatës.

Edhe efekte financiare shtesë në lidhje me personelin nuk do të ketë, pasi punonjësit do të jenë pjesë e strukturës aktuale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Veprimtaritë në kuadër të kësaj konvente do të kryhen nga dy specialistë në Sektorin kundër Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në Drejtorinë për Krimet Ekonomike dhe Financiare, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, veprimtari e cila do të shtohet në procedurat e punës së sektorit dhe drejtorisë në fjalë.

Krijimi i kësaj qendre nuk do të sjellë mbivendosje me sektorët e tjerë që luftojnë krimin ekonomik e financiar në Policinë e Shtetit, pasi detyrat e qendrës janë të mirëpërcaktuara dhe të pavarura nga detyrat e sektorëve të tjerë” shkruhet në relacionin e projektligjit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.